Çmimi 9.99 euro, i përdorur gjerësisht në tregje dhe dyqane në mbarë botën, nuk është aspak i rastësishëm. Sipas ekspertëve të neuromarketingut, kjo strategji ka rrënjë që nga shekulli i 19-të në Amerikë dhe lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si funksionon mendja e njeriut.
Studiuesja e neuromarketingut, Dea Balaj, në emisionin “LIBERO” shpjegoi se arsyeja kryesore pse 9.99 perceptohet më lirë sesa 10 euro lidhet me mënyrën se si truri lexon dhe përpunon informacionin.
“…Ne lexojmë nga majtas në të djathtë dhe në momentin që shohim shifrën 9 si numrin e parë, truri e regjistron vlerën e produktit si rreth 9 euro, jo 10, pavarësisht se diferenca është vetëm 1 cent”, theksoi Balaj.
Sipas saj, truri në mënyrë biologjike e përpunon çmimin brenda mikrosekondave dhe e merr shifrën e parë si bazë orientimi.
“Në momentin që shohim numrin 10, aktivizohet ajo që quhet ‘dhimbja e pagesës më të madhe’, sepse 10 perceptohet si një prag psikologjik më i lartë sesa 9”, shtoi ajo
Kjo teknikë, e njohur si “çmimi psikologjik”, përdoret gjerësisht në marketing për të nxitur blerjen dhe për të ulur ndjesinë e shpenzimit te konsumatori, duke dëshmuar se edhe një cent mund të bëjë diferencë të madhe në vendimmarrjen tonë.
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Dea Balaj, klikoni linkun e mëposhtëm:






