Përgatiti Leunita Avdiu
Ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës dhe asambleistja aktuale, Besianë Musmurati, ishte e ftuar në emisionin “LIBERO” dhe ka paraqitur një qasje të qartë mbi zhvillimet politike të fundit, angazhimet e saj inctitucionale dhe raportin me rezultatin zgjedhor të kandidatit të PDK-së për kryetar komune, Uran Ismailit.
Gjatë diskutimit, Musmurati theksoi se periudha e saj në udhëheqjen e sektorit të arsimit ka lënë iniciativa të hapura, por rikthimin në këtë pozitë, për momentin, nuk e sheh si mundësi. Megjithatë, ajo shprehu gatishmëri të vazhdueshme për të kontribuar në zhvillimin e arsimit, pavarësisht se kush e udhëheq institucionin.
“…Gjithmonë mbetet diçka pezull…Nuk e besoj që do të kthehem, por me kënaqësinë më të madhe do të bashkëpunoja me secilin drejtor që do të vinte, sepse çështja e arsimit i tejkalon partitë politike, i tejkalon inatet politike që mund të ekzistojnë…”, deklaroi ajo.
Sa i përket angazhimeve të saj aktuale, Musmurati bëri të ditur se mbetet plotësisht e fokusuar në punën brenda kryeqytetit: “…Tash jam e foksuar në Prishtinë. Përsëri jam zgjedhur asambleiste në Kuvendin Komunal të Prishtinës…”
Në lidhje me mosfitoren e Uran Ismailit, ajo theksoi se procesi zgjedhor duhet vlerësuar në tërësi dhe jo vetëm përmes rezultatit final për kryetarë. Sipas saj, rëndësi ka edhe struktura politike e krijuar në Asamble: “…Mundohem që të mësohem prej humbjeve, por realisht nuk mundem me e konstatu veç humbje. PDK ka dalë partia e dytë me më së shumti ulëse në asamblenë komunale, kështu që ka qenë një arritje në vete…”, tha ajo.
Vlen ta potencojmë se Besianë Musmurati ka shërbyer si Shefe e Kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë (Uran Ismailit, gjatë kohës kur ishte ministër). Po ashtu, ajo ka përfaqësuar Kosovën si diplomate në Washington D.C. dhe në Bruksel.
Për ta shikuar intervistën e plotë të Besianë Musmuratit, klikoni në linkun e mëposhtëm:







