Rastet kur mund t’u duhet të dërgoni foto përmes WhatsApp mund të jenë të shumta, por ajo që ndodh është se cilësia e imazheve bie sapo ato të jenë ngarkuar në chat.
Por mesa duket kjo mund t’i përkasë të shkuarës, pasi WhatsApp po teston mundësinë që përdoruesit të dërgojnë foto me cilësi të lartë përmes kësaj platforme, sipas WABetaInfo.
“Kjo risi padyshim që përmirëson eksperiencën e përdoruesve dhe po testohet aktualisht në beta”, shpjegoi WABetaInfo.
WABetaInfo ka pikasur këtë veçori të re në versionet e fundit beta të WhatsApp për iOS dhe Android – iOS 23.11.0.76 dhe Android 2.23.12.13.
Deri më tani, cilësia e fotove që dërgohen përmes WhatsApp reduktohet me 70%. Edhe pse kjo bën që të dhënat të ndahen më shpejt, për përdoruesit rezulton kryesisht shqetësuese, pasi fotot nuk mund të shpërndahen në platforma të tjera për shkak të cilësisë së ulët.
Megjithatë, versionet beta të WhatsApp kanë një opsion të ri tashmë që u lejon që të zgjedhin cilësinë e fotos përpara se ta ndajnë me miqtë./A2CNN