Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, dhe deputeti Altin Krasniqi kanë dalë në sheshet e Prishtinës për t’u përshëndetur me protestuesit që po kërkojnë miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Tahiri ka theksuar nevojën për miratimin e ligjit, duke kërkuar që kjo çështje të mos lidhet me zgjedhjen e presidentit.
“Kanë mbetur edhe disa orë. Ajo që po kërkojmë është që Vetëvendosja dhe Albin Kurti të kthehen në Kuvend dhe ta votojnë ligjin. Ligji është obligim kombëtar i të gjithëve ne dhe duhet të kthehemi në Kuvend. Ligjin me presidentin nuk duhet me lidh. Ligji është obligim kombëtar, presidenti është përgjegjësi politike. Ata tentojnë ta lidhin me çështjen e presidentit, por këto tema nuk lidhen”, tha ai.
Ndërkaq, deputeti Altin Krasniqi ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të mos ndërhyjë në mënyrë brutale ndaj protestuesve.
“Kjo çështje nuk është e një partie, por e popullit. Kjo protestë nuk duhet të luftohet në këtë mënyrë brutale”, tha Krasniqi.





