Dita e sotme sinjalizon pesë vjetorin kur Kosova humbi legjendën e futbollit, Fadil Vokrrin.
Vokrri ndërroi jetë pas një sulmi në zemër, dy vite pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA, raporton KosovaPress.
Në pesë vjetorin e ndarjes nga jeta të Vokrrit, delegacioni i FFK-së në krye me Bakir Burrin, me përfaqësues të gjeneratës së artë dhe të tifo-grupit “Dardanët” kanë bërë homazhe tek varri i tij, për të nderuar veprën dhe kujtimin për të.
“Në 5-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, kujtimet për Fadil Vokrrin mbeten të freskëta, derisa vlerësimi për kontributin e tij çmohet nga të gjithë.
Trashëgimia e Vokrrit si futbollist dhe si drejtues i federatës është e vështirë të përshkruhet në fjalë. Ai ishte simbol i talentit dhe pasionit për futbollin dhe me karrierën e tij të bujshme ka lënë gjurmë të thella në historinë e futbollit mbarëkombëtar”, shkruhej në komunikatën e FFK-së.