Superylli amerikan i filmit, Tom Cruise, ka marrë statujën e tij të parë të “Oscarit” në karrierë. Aktori 63-vjeçar u nderua me Oscar nderi në ceremoninë vjetore “Governors Awards” në Hollywood, bashkë me këngëtaren dhe filantropisten Dolly Parton, koreografen Debbie Allen dhe dizajnerin e njohur të prodhimit, Wynn Thomas.
“Bërja e filmave nuk është ajo që bëj, është ajo që jam”, tha Cruise të dielën, teksa mbante fjalimin e pranimit të çmimit të shumëpritur të Akademisë, duke folur për dashurinë e tij ndaj kinemasë.
Ylli i “Top Gun” dhe “Mision Impossible” nderoi krijuesit e filmave, para dhe pas kamerës, me të cilët ka punuar gjatë karrierës së tij 45-vjeçare, si dhe foli për fuqinë që filmi ka për publikun, transmeton Koha.net.
Në momentin që u ngjit në skenë, Cruise u prit me duartrokitje të gjata derisa të pranishmit qëndruan në këmbë. Në publik ishin figura të mëdha të industrisë, përfshirë Steven Spielberg, Leonardo DiCaprio dhe Jerry Bruckheimer.
Çmimin ia dorëzoi regjisori Alejandro G.Inarritu, i cili po punon në filmin e ardhshëm me Cruisen në rolin kryesor.
“Kinemaja më çon nëpër botë”, tha aktori. “Më ndihmon të vlerësoj dhe respektoj dallimet. Në kinema qeshim bashkë, ndjejmë bashkë, shpresojmë bashkë, ëndërrojmë bashe. Kjo është fuqia e kësaj forme arti dhe kjo është arsyeja pse ka rëndësi për mua”, ka thënë ai.
Cruise debutoi në film në vitin 1981 dhe më herët ishte nominuar katër herë për Oscar: për aktorin më të mirë me “Born on the Fourthy of July” dhe “Jerry Maguire” si aktor dytësor në “Magnolica” si dhe si producent i “Top Gun: Maverick”.
Bordi i Guvernatorëve të Akademisë e zgjodhi Cruisen për “angazhimin e jashtëzakonshëm ndaj komunitetit të filmbërjes”, njoftoi organizata.
Cruise tha në fjalimin e tij se kinemaja ia kishte zgjeruar botën shumë më tepër sesa ajo që njihte në fëmijëri. “M’i hapi sytë. Më hapi imagjinatën për mundësinë se jeta mund të zgjasë shumë përtej kufijve që besoja atëherë”.
Aktori, i njohur për aktrimin në skenat e rrezikshme, ka qenë edhe një mbrojtës i zjarrtë i kinemasë në një kohë kur platformat streaming dhe rrjetet sociale po garojnë për kohën e shikuesve.
“Dua ta dini se do të bëj gjithmonë gjithçka që mundem për ta ndihmuar këtë art, për të mbështetur zërat e rinj, për të mbrojtur atë që e bën kinemanë të fuqishme, shpresoj, pa shumë eshtra të thyer,” shtoi ai me humor.
Më herët gjatë vitit, Cruise raportohej se do të nderohej nga presidenti amerikan Donald Trump në listën e tij për çmimet e “Kennedy Center Honors”, por aktori thuhet se kishte refuzuar për shkak të angazhimeve kohore.







