Pesë persona të tjerë janë vënë në pranga në lidhje me grabitjen spektakolare të xhevahireve nga muzeu i Luvrit, duke e çuar në shtatë numrin e përgjithshëm të të arrestuarve për ngjarjen që tronditi Francën dhe mbarë opinionin botëror.
Sipas prokurores së Parisit, Laure Beccuau, një prej të arrestuarve të fundit dyshohet se ka qenë pjesë e grupit prej katër personash që kreu grabitjen, duke u maskuar si punëtorë ndërtimi për të hyrë në ambientet e muzeut dhe për të marrë bizhuteritë e rralla të periudhës së Napoleonit, shkruan CCN.
Pas një operacioni intensiv kërkimi që zgjati 11 ditë, autoritetet kanë arritur të kapin tre nga katër autorët e dyshuar të grabitjes, megjithatë thesaret me vlerë mbi 100 milionë dollarë vazhdojnë të mungojnë. Ekspertët besojnë se stolitë mund të jenë çmontuar për t’u shitur veç e veç, si lëndë të para. Ndër to, përmendet një gjerdan smeraldi i stolisur me mbi 1,000 diamante, dhuratë e Napoleonit për bashkëshorten e tij të dytë.
Arrestimet e fundit janë kryer në Paris dhe zonat përreth kryeqytetit, përfshirë Seine-Saint-Denis. Dy personat e parë u kapën fundjavën e kaluar, ndërsa njëri prej tyre tentoi të largohej drejt Algjerisë nga aeroporti Charles de Gaulle. Pas marrjes në pyetje për 96 orë, të dy kanë pranuar pjesërisht përfshirjen e tyre në ngjarje.
I pari prej tyre, një 34-vjeçar algjerian, u identifikua përmes gjurmëve të ADN-së të gjetura në një skuter të përdorur gjatë grabitjes. Ndërsa i dyti, 39 vjeç nga Aubervilliers, i njohur më parë për vjedhje, u identifikua nga ADN-ja e lënë në xhamin e thyer të vitrines. Policia franceze ende nuk ka bërë publike detaje për pesë personat e tjerë të arrestuar.
Ngjarja ka hapur një debat të gjerë për sigurinë në muzeun më të vizituar në Francë. Drejtori i Luvrit, Laurence des Cars, pranoi para Senatit francez se hyrja nga e cila u futën hajdutët nuk ishte e mbuluar nga kamerat e sigurisë. një boshllëk që tashmë po hetohet nga autoritetet kompetente.







