Steve Clarke ka dhënë dorëheqjen nga posti i përzgjedhësit të Kombëtares së Skocisë, menjëherë pas eliminimit të skuadrës nga Kupa e Botës 2026.
Skocezët i mbajtën gjallë shpresat për kualifikim deri në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, por fitorja e Kroacisë ndaj Ganës ua mbylli përfundimisht rrugën drejt fazës me eliminim direkt.
Skocia kishte nevojë për një kombinim rezultatesh, përfshirë një humbje të thellë të Ganës dhe rezultate të favorshme në ndeshjet e tjera, por skenari i dëshiruar nuk u realizua.
Menjëherë pas konfirmimit të eliminimit, Clarke njoftoi largimin e tij, duke i dhënë fund një periudhe shtatëvjeçare në krye të përfaqësueses skoceze.
“Faleminderit që më besuat këtë detyrë. Ka qenë një nder i madh të drejtoj Skocinë. I uroj shumë sukses pasardhësit tim dhe shpresoj që ekipi të vazhdojë të ecë përpara”, deklaroi Clarke pas dorëheqjes.
Clarke mori drejtimin e Skocisë në vitin 2019 dhe gjatë mandatit të tij arriti disa nga sukseset më të mëdha të futbollit skocez në dekadat e fundit.
Nën drejtimin e tij, Skocia u kualifikua dy herë radhazi në Kampionatin Evropian, duke e rikthyer kombëtaren në skenën e madhe ndërkombëtare pas një mungese të gjatë.
Kulmi i punës së tij erdhi me kualifikimin në Kupën e Botës 2026, pjesëmarrjen e parë të Skocisë në një Botëror pas plot 28 vitesh.





