Spanja vazhdon të shkruajë histori. “La Roja” mposhti Anglinë me rezultat 3-2 në “Wembley”, në një përballje spektakolare të karakterizuar nga përmbysjet, duke regjistruar ndeshjen e 39-të radhazi pa humbje.
Në fund, skuadra e Luis de la Fuentes doli fituese nga Londra, ndërsa trajneri spanjoll pas ndeshjes vlerësoi paraqitjen dhe mentalitetin e futbollistëve të tij.
“Patëm 6-7 minuta ku një superfuqi na bëri dëme. Në përgjithësi, besoj se ndeshja ishte nën kontroll. Në disa raste na kushtoi fakti që vrapuam pas shpinës së kundërshtarit”, deklaroi De la Fuente.
Trajneri i Spanjës u ndal veçanërisht te mentaliteti dhe ambicia e grupit që drejton, duke theksuar se rezultatet e fundit janë edhe pasojë e karakterit të futbollistëve.
“E gjithë kjo uri është meritë e futbollistëve. Janë ambiciozë dhe kanë dëshirë të përmirësohen. Kjo është meritë e këtij grupi, i cili ka treguar vlera përtej aspektit futbollistik. Janë vlera jetësore që i bashkohen talentit të madh futbollistik”, u shpreh ai.
Me fitoren ndaj Anglisë, Spanja e çoi në 39 numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje. Për De la Fuentes, kjo seri është dëshmi e punës së bërë nga ky brez.
“Shifrat janë aty. Është shumë e vështirë të bësh atë që po bën kjo skuadër. Ndeshja e radhës do të jetë sikur të jetë e fundit. Ky është sekreti”, theksoi trajneri spanjoll.
De la Fuente analizoi edhe momentin kur Anglia arriti të rikthehej në lojë, duke veçuar rastet e humbura nga skuadra e tij.
“Përmbysja nisi kur patëm tri raste të pastra dhe nuk i shënuam. E shihja skuadrën të aftë për të reaguar në çdo rrethanë. Jam i sigurt se edhe me rezultatin 3-1 do të kishim reaguar njësoj”, deklaroi ai.
Trajneri spanjoll pati gjithashtu fjalë të mira për Ferran Torres, duke vlerësuar kontributin e sulmuesit në suksesin e “La Rojas”.
“Hugo Sanchez ishte shënuesi më i mirë me golat e shënuar me prekjen e parë. Ferran është një goleador shumë i mirë. Jam i kënaqur me punën e tij dhe prej saj përfitoi më pas edhe Mikel Oyarzabal. Kjo është punë skuadre dhe kjo është forca që kemi”, tha De la Fuente.
Në fund, ai u pyet edhe për Lamine Yamal dhe rolin që talenti i Barcelonës ka në kombëtare.
“Nuk e di se çfarë i kërkon Barcelona. Ne i kërkojmë të bëjë atë që i përshtatet më mirë stilit tonë të lojës. Është një mrekulli që është me ne”, përfundoi trajneri i Spanjës.





