PËRGATITI: NORA LUTA
Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes zyrtare të Javës së Krenarisë. Por nga Kurti, i cili po merr pjesë për herë të parë prej se e udhëheq Qeverinë e Kosovës, pjesëtarët e komunitetit LGBTI presin më shumë përkushtim e miratimin sa më të shpejtë të Kodit Civil. Ata duan, gjithashtu, që Kurti, sikurse edhe presidentja Vjosa Osmani të jenë prezent në Paradën e Krenarisë që do të mbahet më 10 qershor në Prishtinë. Të dy liderët nuk ishin të pranishëm vitin e kaluar.
Për herë të parë prej që është në krye të Qeverisë, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Javës së Krenarisë.
Por vetëm pjesëmarrja në aktivitetin që organizohet nga Zyra e Kryeministrit, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, për pjesëtarët e komunitetit LGBTI nuk mjafton.
Kryeministri Kurti nuk ishte prezent vitin e kaluar në Paradën e Krenarisë, që për Arbër Nuhiun tregon një mospërkushtim që të respektohen të drejtat e qytetarëve të Kosovës.
Nuhiu sheh një hezitim të Qeverisë për ta miratuar Kodin Civil, i cili nuk i mori votat e mjaftueshme, përfshirë disa deputetëve të partisë që është në pushtet.
Organizatat e shoqërisë civile nuk duan përkrahje nga institucionet vetëm gjatë Javës së Krenarisë.
Kryeministri Kurti e presidentja Vjosa Osmani kanë marrë ftesë, gjithashtu, që të jenë pjesë e Paradës së Krenarisë me sloganin “T’du qashtu qysh je”, që do të mbahet të shtunën e 10 qershorit.
Por, zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu nuk ka qenë në gjendje ta konfirmojë pjesëmarrjen e kryeministrit të shtunën.
Ata ftesë morën edhe vitin e kaluar, por nuk iu bashkuan marshit në qendër të kryeqytetit.
Është viti i shtatë me radhë që parada e cila ka për qëllim sensibilizimin për të drejtat e komunitetit LGBTI, do të mbahet në Prishtinë.