Mesfushori kosovar me tipare sulmuese, Bersant Celina, ka reaguar ashpër ndaj gjyqtares kryesore Tess Olofsson, pas humbjes së papritur të skuadrës së tij AIK ndaj IFK Varnamo.
Celina, që si zakonisht ishte titullar, u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e fundit të ndeshjes, për shkak të ankesave ndaj vendimeve të arbitres. Ky ishte kartoni i dytë i verdhë radhazi, që do ta detyrojë atë të mungojë në ndeshjen e ardhshme të ekipit.
Pas ndeshjes, lojtari 28-vjeçar shpërtheu me kritika ndaj gjyqtares suedeze, duke thënë se ajo gaboi rëndë në një ndërhyrje që sipas tij duhej ndëshkuar me karton të kuq.
“Nuk e di çfarë ndodhi. Di vetëm që kishte një ndërhyrje shumë lart, mbi gju. Për mua është karton i kuq 100 për qind”, tha Celina.
“Në fund përfundoi situata duke marrë unë karton të verdhë – është e pabesueshme. Nuk mund t’i ndërhysh një lojtari mbi gju dhe të mos ndëshkohesh. Ajo duhet të kuptojë pse reagova në atë mënyrë”.
“Mora kartonin e dytë të verdhë dhe do të mungoj në ndeshjen e ardhshme sepse ajo nuk di si të referojë”, shtoi ai me zhgënjim.
Kjo do të jetë mungesa e parë e Celinës që prej ardhjes së tij te AIK, dhe për ironi ndodh pikërisht para derbit të rëndësishëm ndaj Hammarbyt.
“Nuk ndjehem mirë. Nuk kam munguar në asnjë ndeshje që kur erdha këtu. Jam shumë i zhgënjyer”, u shpreh Celina.
Ndërkohë, mesfushori nuk është përfshirë në listën e përzgjedhësit Franco Foda për dy ndeshjet e tetorit me Slloveninë dhe Suedinë, duke u renditur vetëm si rezervë.