Artisti kosovar Driton Selmani po përfiton një mundësi të veçantë për të prezantuar krijimtarinë e tij në panairin prestigjioz të artit bashkëkohor “Viennacontemporary”, ku Galeria Ernst Hilger i ka dedikuar një hapësirë të posaçme.
I njohur për mënyrën se si ndërthur humorin me ndjeshmërinë dhe për përdorimin e materialeve të zakonshme – si qeset plastike – Selmani eksploron në veprat e tij kujtesën kolektive, historitë e harruara dhe trashëgiminë kulturore.
Pas përfundimit të studimeve Master në Bournemouth, ai kishte mundësinë të qëndronte jashtë Kosovës, por zgjodhi të rikthehet në vendlindje për të zhvilluar artin e tij aty ku ndien rrënjët dhe frymëzimin.
Pas ekspozitës personale në Kahan Art Space (2023) dhe instalacionit publik “Only Time Will Tell” në MuseumsQuartier, Vjenë, Selmani këtë vit do të prezantohet në Zona 1 të panairit, një pjesë e kuruar posaçërisht për artistët nën moshën 40-vjeçare. Ai do të jetë krah emrave ndërkombëtarë si Hélène Fauquet dhe Huda Takriti, duke përfaqësuar me dinjitet artin kosovar në një skenë ndërkombëtare.
Krijimtaria e Driton Selmanit shihet si një shembull i fuqishëm i artit bashkëkohor që lidh kulturën lokale me trashëgiminë globale, sfidon perceptimet tradicionale dhe hap një dialog të thellë mbi kujtesën, kohën dhe identitetin kulturor në epokën moderne.