Heroi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, është kujtuar sot nga kolegu i tij, Fahri Shala, në dyvjetorin e rënies së tij heroike gjatë sulmit në Banjskë.
Duke rikujtuar momentet e fundit me Bunjakun, Shala tha se ato janë shndërruar në dëshmi të pavdekshme të besnikërisë, trimërisë dhe dashurisë për atdheun.
Dhimbjen për humbjen e kolegut e përshkroi si të madhe, ndërsa krenarinë për sakrificën e tij e quajti lehtësim shpirtëror dhe forcë për të ecur përpara.
“Sot, më 24 shtator 2025, përkujtojmë me pikëllim të thellë dhe krenari dyvjetorin e rënies heroike të rreshterit Afrim Bunjaku. Punuam krah për krah, të pandarë për vite me radhë, deri në momentet e fundit të jetës së tij. Edhe sot, në kujtesën time të freskët, mbeten pamjet dhe sekondat e fundit që ndamë së bashku, çaste që u shndërruan në dëshmi të pavdekshme të besnikërisë, trimërisë dhe dashurisë së tij për atdheun. Dhimbja e humbjes është e pamasë, por krenaria për sakrificën e tij e lehtëson shpirtin dhe na jep forcë të ecim përpara. Me përulje e respekt të pafund, përkulemi para aktit të tij sublim, para vendosmërisë dhe guximit që e bënë të flijohej për mbrojtjen e sovranitetit të vendit tonë të shtrenjtë”, thotë Shala.
Ai shtoi se Bunjaku nuk është vetëm kujtim i dhimbjes, por edhe flamur i guximit, shtyllë e nderit dhe mishërim i dashurisë së pashuar për Kosovën.
Sipas Shalës, heroi do të jetojë në çdo hap të lirisë dhe në çdo frymëmarrje të vendit që e mbrojti me gjakun e tij.
Fahri Shala është gjithashtu dëshmitar në rastin e sulmit në Banjskë.