Me ditët që shkurtohen dhe temperaturat që bien gradualisht, është e rëndësishme t’u kushtojmë vëmendje nevojave të bimëve që kemi në ballkon, tarracë apo oborr
Në vend se të mbështeteni vetëm në datat e kalendarit për kujdesin ndaj luleve, më e mira është të ndiqni kushtet e motit, sidomos temperaturat e natës, dhe t’i përshtatni veprimet sipas kërkesave të çdo bime.
Shumë bimë vijnë nga zona më të ngrohta dhe nuk janë rezistente ndaj të ftohtit. Veçanërisht të ndjeshme janë bimët tropikale e ato të brendshme, si dhe shumica e agrumeve, të cilat nuk i përballojnë temperaturat nën 12-15 °C.
Bimët që duhen futur sapo të ftohet
Bimët tropikale me gjelbërim të përhershëm, si fikusi, si dhe orkidetë apo begoniet, nuk e përballojnë natën e ftohtë nën 12°C dhe duhen futur në ambient të mbyllur sapo temperaturat e natës fillojnë të bien. Edhe agrumet, si limoni, portokalli, duhet të futen para shfaqjes së ngricës së parë, sepse të ftohtit mund t’u shkaktojë dëme. E njëjta gjë vlen edhe për lule të ndjeshme si surfinia, transmeton Telegrafi.
Bimët që mund të mbeten jashtë edhe pak
Livanda është më rezistente dhe mund të përballojë temperatura deri në 8–10 °C, por duhet mbrojtur nga ngricat. Bimët me gjelbërim të përhershëm në vazo, si shkurret e shimshirit, tujat apo rozmarina, mund të dimërojnë jashtë nëse vendosen në një vend të mbrojtur dhe mbulohen me një material të lehtë që i mbron nga era.
Si t’i përgatisni bimët për dimër
▪ Para se t’i fusni brenda, pastroni bimët nga gjethet e thara ose të dëmtuara dhe kontrolloni për parazitë, duke i hequr nëse ka.
▪ Nëse vazot janë bërë të vogla për bimën, është momenti i duhur për t’i transplantuar në vazo më të mëdha me dhe të freskët.
▪ Ulni sasinë e ujit, sepse gjatë dimrit bimët rriten më ngadalë dhe kanë nevojë për më pak lagështi.
▪ Vendosini në vende të ndritshme, idealisht pranë dritareve, në mënyrë që të marrin sa më shumë dritë natyrale.
Kur është koha e duhur për t’i futur brenda?
Ekspertët sugjerojnë një rregull të thjeshtë: bimët e shtëpisë duhet të futen në ambiente të mbyllura rreth 50 ditë para ngricës së parë ose kur temperaturat zbresin rreth 10°C.
Ky rregull i ndihmon bimët të mbrohen në kohë nga të ftohtit, pasi shumica prej tyre kanë origjinë tropikale dhe nuk e përballojnë dot klimën e ashpër. Një tregues tjetër është edhe dallimi i madh i temperaturave midis ditës dhe natës gjatë muajve të vjeshtës.