Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të rëndë të rrëmbimit dhe dhunës fizike që ka ndodhur në lagjen Veternik të Prishtinës.
Sipas raportit zyrtar, më 19 shtator 2025 është bërë e ditur se një viktimë mashkull kosovar ishte marrë me forcë nga dy persona dhe ishte futur në një veturë. Viktima ka deklaruar se ishte dërguar në një shtëpi të pabanuar, ku ishte mbajtur deri në mëngjes dhe ishte dhunuar fizikisht.
Hetimet e policisë kanë çuar në identifikimin e tre të dyshuarve. Dy prej tyre janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit me vendim të prokurorit, ndërsa personi i tretë ndodhet ende në arrati.
Gjatë aksionit policor janë bastisur katër shtëpi dhe banesa, ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë gjuetie. Rasti është në proces hetimesh.