Franca po përgatitet për njërën prej protestave më të mëdha të viteve të fundit, ndërsa sindikatat po tregojnë unitet të rrallë për t’i bërë presion kryeministrit të ri që të rishikojë shkurtimet buxhetore dhe të marrë masa për pagat, pensionet dhe shërbimet publike.
Sipas të dhënave të policisë, sot pritet që rreth 800 mijë njerëz të dalin në rrugë në marshime në mbarë vendin, ndërsa shkollat, transporti hekurudhor dhe ajror do të preken nga kjo protestë.
Në terren do të dislokohen gjithsej 80 mijë policë. Kjo ditë protestash vjen në një kohë krize politike në Francë, pasi Emmanuel Macron javën e kaluar emëroi aleatin e tij të ngushtë, Sebastien Lecornu, si kryeministrin e tretë brenda vitit – pas rrëzimit të dy paraardhësve, nga parlamenti për shkak të mosmarrëveshjeve të ashpra buxhetore.
Protesta e sotme pritet të jetë më e madhja që nga viti 2023, kur turma të mëdha njerëzish dolën kundër vendimit për të rritur moshën e pensionit në 64 vjeç, përmes fuqive ekzekutive dhe pa votim në parlament.