Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, përmes një fushate informuese në komuna të ndryshme të vendit.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se komisionet komunale të zgjedhjeve në komunat Gjakovë, Mitrovicë e Jugut dhe Junik kanë organizuar tryeza informuese me përfaqësues të subjekteve politike.
“Gjatë këtyre takimeve janë trajtuar çështje kyçe të procesit zgjedhor, përfshirë: Regjistrimin për votim të personave me nevoja të veçanta, votimin jashtë Kosovës, si dhe mënyrat dhe procedurat e votimit. Nominimet dhe formula e trupave menaxhuese të zgjedhjeve (Këshillat e Vendvotimeve, Qendrat e Votimit me Kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe Qendrat Komunale të Numërimit), si dhe Fushata zgjedhore”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, KQZ ka theksuar se pjesëmarrësit janë informuar në detaje për të gjitha fazat e procesit zgjedhor dhe janë inkurajuar të ndajnë informacionet me komunitetin e tyre, me qëllim që të rritet vetëdija qytetare dhe përgatitja për ditën e votimit.