Vetëm pak ditë pasi shkaktoi habi dhe reagime të përziera duke u shfaqur si bionde, Kate Middleton (43) është parë sërish me ngjyrën e saj karakteristike të flokëve ngjyrë kafe
Në tribunat e Women’s Rugby World Cup, të shtunën, ajo shkëlqente me nuanca më të errëta me reflektime të arta, të kapura në një gjysmëbisht elegant. Veshur me një bluzë të bardhë, xhaketë të errët dhe vathë diskretë, ajo duartrokiste me energji gjatë ndeshjes mes Australisë dhe Anglisë.
Ky rikthim erdhi menjëherë pasi në fillim të javës, në shoqërinë e William, kishte debutuar me flokë të gjatë, kaçurrelë e biondë gjatë hapjes së kopshtit të rinovuar të Natural History Museum në Londër. Fotot bënë xhiron e internetit, duke nxitur debate mes admiruesve: disa e lavdëruan për guximin, ndërsa të tjerë u shprehën se kafeja natyrale i shkon më shumë.
Edhe stilistët mbetën të ndarë. Neville Tucker, parukieri mbretëror që ka punuar edhe me Queen Elizabeth II, deklaroi për Vanity Fair se Kate bëri një “ndryshim më drastik se kurrë më parë” dhe se ky hap mund të nxisë një trend të ri drejt nuancave bionde dhe të mjaltit. Megjithatë, ai pranoi se nuanca e saj klasike ngjyrë kafe deri më tani ka qenë një nga më me ndikim në botën e modës dhe frizurave.
Një fillim i ri për Kate dhe William
Ndryshimi i frizurës përkon me një fazë të re në jetën e çiftit. Pas betejës së vështirë me kancerin, për të cilën foli hapur në vitin 2024, Kate konfirmoi në janar se është në remision.
Së shpejti, ajo dhe William, bashkë me tre fëmijët e tyre – George (12), Charlotte (10) dhe Louis (7), do të shpërngulen nga Adelaide Cottage në Windsor në një rezidencë të re familjare, Forest Lodge në Windsor Park. /Telegrafi/