Nga Tamara Ziv, Ambasadore e Izraelit në Kosovë
Në një botë gjithnjë e më shumë të drejtuar nga narrativat sesa nga faktet, e vërteta
shpesh bëhet viktima e parë e luftës. Kjo është veçanërisht e dukshme në fushatën
groteske të dezinformimit që pretendon se në Gaza po ndodh një urie masive, e
shkaktuar qëllimisht nga Izraeli si një mjet lufte – një akuzë që ka marrë formën e një
shpifjeje moderne gjakderdhëse kundër shtetit hebre.
Narrativa e një “Urie në Gaza” është kthyer në një fushatë të mirëorganizuar – e
amplifikuar nga Hamasi dhe sponsorët e tij në Katar, dhe e përsëritur pa kritikë nga
mediat kryesore perëndimore dhe organizatat ndërkombëtare. Edhe pse ekzistojnë
vështirësi humanitare, si në çdo zonë lufte, kjo fushatë i ka ekzagjeruar, manipuluar dhe
instrumentalizuar këto realitete me qëllim që të përmbysin rolet e viktimës dhe agresorit.
Qëllimi: demonizimi i Izraelit, pastrimi i krimeve të Hamasit dhe shmangia e vëmendjes
nga uria e vërtetë, e shkaktuar me qëllim nga Hamasi – jo ndaj civilëve të Gazës, por
ndaj pengjeve izraelite që mbahen në burgjet e tij prej gati dy vitesh.
Një investigim i publikuar nga tabloidi gjerman Bild më 5 gusht, tregon se si imazhe të
inskenuara, video të montuara dhe raporte të fabrikuara janë përdorur për të ndërtuar
një imazh të rremë të urisë së përhapur të shkaktuar nga Izraeli. E vërteta, megjithatë,
është krejtësisht e kundërta.
Një tjetër hetim i thelluar i publikuar së fundmi nga platforma Jewish Onliner gjurmon
origjinën e kësaj fushate si pjesë e një përpjekjeje të mirëkoordinuar për manipulim
mediatik global. Ky kërkim zbulon se fushata “#GazaIsStarving” është një operacion i
organizuar dezinformimi i udhëhequr nga vende arabisht-folëse – veçanërisht Katari,
Arabia Saudite dhe Jemeni – me qëllim ndikimin e opinionit publik anglisht-folës kundër
Izraelit. Edhe pse fushata paraqitet si një reagim humanitar i sinqertë, hetimi tregon se
ajo amplifikohet përmes entiteteve të lidhura me shtetin, ndikuesve të propagandës (si
zyrtarë të regjimit iranian dhe individë të lidhur me Hamasin), dhe strategjive
ndërgjuhësore në rrjetet sociale për të maksimizuar rezonancën emocionale,
veçanërisht në Perëndim.
Gjithashtu, një tjetër analizë e publikuar nga përdoruesi @antisemitism (“Fushata
Kundër Antisemitizmit”) dëshmon se hashtagë si “FamineinGaza”, “HelpGaza” apo
“GazaHolocaust” janë përdorur në mënyrë masive dhe janë promovuar nga fabrika bot-
ësh për t’i bërë këto hashtagë të jenë ndër më të përhapurit në platformën X (dikur
Twitter).
Që nga fillimi i luftës, Izraeli ka lehtësuar dërgimin e ndihmës humanitare në Gaza në
përmasa të paprecedenta – edhe pse është i angazhuar në një konflikt të përgjakshëm
në shtatë fronte. Ushqimi, uji, furnizimet mjekësore, energjia elektrike dhe karburanti
kanë hyrë në Gaza përmes disa pikave kufitare. Izraeli ka bashkëpunuar me partnerë
ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Programin Botëror të Ushqimit, për
të siguruar që korridoret humanitare të mbeten të hapura.
Megjithatë, Hamasi vazhdon të konfiskojë, plaçkitë dhe shpërndajë ndihmat në mënyrë
selektive – duke e përdorur urinë si një armë kontrolli, propagande dhe përfitimi
personal, me synimin për të mbushur më tej llogaritë tashmë të fryra të liderëve
miliarderë të tij.
Kjo realitet u ekspozua qartë në fjalimin emocional të Ministrit të Jashtëm të Izraelit,
Gideon Sa’ar, para Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 5 gusht. Ministri Sa’ar foli hapur
për mënyrën se si Hamasi ka uritur qëllimisht pengjet izraelite si Evyatar David dhe
Rom Braslavski – tani hije të vetes së tyre, që nga rrëmbimi i tyre më 7 tetor – ndërkohë
që terroristët e Hamasit hanë mish, peshk, perime dhe fruta të freskëta. Në një imazh
tronditës, krahu i trashë dhe i ushqyer mirë i një roje të Hamasit shfaqet pranë trupit të
rraskapitur të Evyatarit, i cili ishte detyruar të gërmonte varrin e tij.
E megjithatë, ky tmerr pothuajse nuk u përmend fare në shtypin ndërkombëtar. The
New York Times, për shembull, e cila shpesh ka amplifikuar pretendime të paverifikuara
palestineze – duke publikuar së fundmi një fotografi të një foshnjeje me probleme
shëndetësore paraprake si “provë” të urisë në Gaza, një veprim që gjeneroi një valë
urrejtjeje ndaj Izraelit dhe për të cilin u detyrua të tërhiqej – refuzoi t’i vendoste në faqen
e parë imazhet e tmerrshme të pengjeve izraelite. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së,
António Guterres, i cili shpesh është i zëshëm në dënimin e Izraelit, qëndroi në heshtje.
Kjo heshtje nuk është neutralitet – është bashkëfajësi.
E vërteta është e dhimbshme: Hamasi i urit pengjet izraelite ndërsa shtiret se kujdeset
për civilët e Gazës. Autoriteti Palestinez paguan paga për terroristët. Dhe një pjesë e
madhe e mediave perëndimore vazhdon të shërbejë si kanal për propagandën
terroriste, duke zbatuar një standard të dyfishtë të turpshëm: nëse vjen nga Hamasi,
pranohet, besohet dhe publikohet menjëherë; nëse vjen nga Izraeli, kërkohen prova të
pafundme.
Po jetojmë në një botë të përmbysur: agresorët paraqiten si viktima. Të rrëmbyerit dhe
të dhunuarit injorohen, ndërsa rrëmbyesit dhe përdhunuesit marrin platforma dhe
simpati. Kjo përmbysje morale nuk është thjesht e turpshme – është e rrezikshme.
Problemi nuk është vetëm që Hamasi publikoi një video të një pengu skeletik duke
gërmuar varrin e vet në një tunel. Problemi është që Hamasi e di që mund ta publikojë
këtë video – dhe prapë shumë njerëz në Perëndim do të mendojnë se ata janë “të
mirët”.
Shtetet me një histori regjimesh që kontrollonin mendimin dhe fjalën janë zakonisht të
parat që e njohin një fushatë të projektuar për të manipuluar ndërgjegjen publike. Në të
kaluarën, kjo bëhej përmes forcës së hapur – sot realizohet përmes ndikimit të rafinuar
dhe të fuqishëm të rrjeteve sociale. Nuk është rastësi që drejtuesit kryesorë të këtyre
fushatave të ndikimit janë regjime autoritare dhe totalitare, që shfrytëzojnë me mjeshtëri
hapjen dhe dobësitë e shoqërive demokratike për të formuar narrativat globale në favor
të tyre.
Në botën e sotme të gënjeshtrave virale dhe indinjatës së politizuar, e vërteta duhet
mbrojtur me guxim. Dhe e vërteta është kjo: nuk ka asnjë uri të qëllimshme të shkaktuar
nga Izraeli në Gaza. Por ka një fushatë të orkestruar mbi "urinë". Dhe ka pa asnjë
dyshim uritje të qëllimshme të pengjeve izraelite në duart e një regjimi terrorist
gjenocidal.
Le të mos harrojmë kurrë: viktimat nuk mbajnë pengje. Dhe nëse Hamasi do të
dorëzohej dhe do të lironte pengjet, lufta do të përfundonte menjëherë.