Avokati Arianit Koci ka paralajmëruar shqiptarët që kalojnë nëpër Serbi të jenë shumë të kujdesshëm, pasi kontrollet në pikëkalimet kufitare janë shtuar ndjeshëm.
Përmes një postimi në Facebook, Koci ka bërë me dije se çdo udhëtar që bart me vete më shumë se 10,000 euro – qoftë në para të gatshme apo sende me vlerë – duhet ta deklarojë këtë fakt në hyrje të Serbisë.
Ai thekson se mosdeklarimi mund të sjellë konfiskimin e përkohshëm të shumës ose sendeve dhe hapjen e procedurave gjyqësore.
“Çdo udhëtar që mban me vete më shumë se 10,000 euro për person – në para të gatshme ose sende me vlerë – duhet ta deklarojë në hyrje të Serbisë. Lexoni me kujdes udhëzimet në hyrje dhe dalje të pikave kufitare”, ka shkruar avokati.
Ai shton se në raste të caktuara kërkohet edhe dëshmi për prejardhjen e parave ose faturat e sendeve me vlerë.
Koci ka përmendur rastin e një çifti kosovar që u ndalua së fundmi në hyrje të Serbisë dhe iu konfiskua stoli ari e pajës së nuses, pasi nuk e kishin deklaruar atë dhe vlera e saj tejkalonte kufirin e lejuar.
Pas ndalimit, stoli është mbajtur në Serbi deri në vendimin e gjykatës, ku çifti do të paraqitet së shpejti.
“Sot, një çift kosovar u ndalua në hyrje të Serbisë dhe u kontrollua detajisht. Pasi nuk e kanë deklaruar pajën e nuses (stoli ari), e cila kishte vlerë mbi kufirin e lejuar, janë mbajtur dhe ari është konfiskuar deri në vendim të gjykatës. Nesër do të paraqitën para gjykatës serbe, e cila e ka kompetencë territoriale kufirin ku janë ndalur”.
Avokati Koci i ka ofruar ndihmë dhe këshilla qytetarëve kosovarë që kalojnë përmes Serbisë, duke theksuar se po mundohet t’i mbrojë ata sa më shumë që mundet./Telegrafi/


                                    
    




