Liderë botërorë e kanë uruar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama pasi partia e tij doli e para në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri.
Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Socialiste kryeson thellë me numër të mandateve. Partia e Edi Ramës ka marrë shkuar në 83 mandate.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer e ka uruar Ramën, siç ka shkruar ai, për “fitoren historike”, në zgjedhjet e 11 majit.
“Urime Edi Rama për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin për të sjellë rezultate për njerëzit e zakonshëm në të dy vendet tona”, ka shkruar Starmer në X.
Ramën e ka uruar edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Urime për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për fitoren bindëse në zgjedhje. Ju uroj sukses në shërbim të popullit shqiptar. E vlerësojmë shumë qëndrimin tuaj të qartë dhe të palëkundur mbi nevojën për paqe të qëndrueshme për Ukrainën, e cila mund të arrihet vetëm përmes një armëpushimi të plotë dhe të pakushtëzuar”, ka shkruar Zelensky në X.
Më herët, Ramën e kanë uruar edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kryeministri i Spanjes, Pedro Sanchez dhe ai i Kroacisë, Andrej Plenkovic./KP