Drejtori për investime kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, në emisionin CONTEXT në ATV, reagoi ndaj veprimeve të Ministrisë së Kulturës për ndërprerjen e projekteve të kryeqytetit, duke i quajtur ato abuzive dhe politike.
Ai tha se në shumicën e zonave të diskutuara, përveç Bibliotekës Kombëtare, nuk ka objekte të regjistruara si trashëgimi në kadastrin komunal.
“Komuna, zyra e urbanizimit, zyrat e planifikimit funksionojnë me dokumentacione shtetërore, e jo me çka shohin ëndrrat këta atje, qysh zbulojnë metoda për me blloku zhvillimin e projekteve në kryeqytet. I vetmi objekt në atë hapësirë, i cili është i regjistruar në katastër komunal, është Biblioteka Kombëtare. Objektet tjera, aty asnjëra nuk është, dhe planifikimi i komunës bazohet në dokumentacione të tilla,” deklaroi Havolli.
Ai njoftoi se Komuna e Prishtinës ka dorëzuar kallëzime penale ndaj ministrisë për veprime që, sipas tij, janë të jashtëligjshme dhe me prapavijë politike.
“Na kemi bërë kallëzimet tona penale, sepse këto veprime të ministrisë janë të gjitha shkelje ligjore dhe janë veprime të cilat praktikisht janë bllokuese politike dhe nuk kanë një qëllim tjetër. Ky është abuzim me pushtetin, sikur që është abuzu edhe atje. Ende nuk e ka Komuna e Prishtinës një vendim për bllokimin e punimeve, dhe çdo herë që janë blloku punimet, kanë ndryshuar edhe arsyetimet e tyre,” tha Havolli.
Deklaratën e plotë të Sokol Havollit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: