Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës ka arrestuar personin B.K. në Podujevë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Rasti ka ndodhur më datë 30 prill 2025 në oborrin e QKUK-së, kundër veturës së ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, operacioni policor në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e shtetit është duke vazhduar në mënyrë të intensifikuar në disa lokacione të ndryshme për mbledhjen e provave për hetim.
Organet e rendit mbeten të përkushtuar për të zbuluar motivet dhe zbardhjen e rastit në tërësi, raporton KosovaPress.
Incidenti kishte ndodhur në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku vetura private e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, ka shpërthyer.
Ngjarja ka ndodhur gjatë përgatitjeve për fillimin e mbledhjes së Bordit Drejtues të SHSKUK-së, e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore.
Dëmtimi i veturës ka ndodhur nën rrethana ende të panjohura dhe ka shkaktuar shqetësim për sigurinë në këtë ambient. Për incidentin janë njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila kishte filluar procedurat e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.
ShSKUK ka shprehur shqetësim dhe keqardhje lidhur me rastin, duke ofruar bashkëpunimin e plotë me autoritetet përkatëse.