Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj tha se Lëvizja Vetëvendosje po përdorë strategji abuzive për të bllokuar krijimin e institucioneve të reja.
Sipas tij, LVV po abuzon me pozitën që i ka dhënë rregullorja e Kuvendit, derisa iu referohet udhëheqjes së seancës nga kryesuesi më i vjetër në moshë, Avni Dehari.
Zemaj tha se kjo sjellje është e papranueshme dhe se sipas tij është denigrim i personaliteti të individit.
“Kjo nuk është vetëm keqpërdorim i individit, sepse në fund të fundit është pranueshmëri e tij e sjelljes politike dhe personale. Por, ky është abuzim me të drejtën e moshës ku e përcakton rregullorja e punës së kuvendit që deputeti më i vjetër, i përkrahur nga deputeti më i ri, duhet ta udhëheqë seancën konstituive deri në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Andaj, kjo është abuzim me pozitën që i ka dhënë rregullorja e punës së kuvendit. Kjo sjellje është e papranueshme dhe në fund të fundit edhe denigrim edhe i personalitetit të individit. Por, edhe strategji abuzive që po e përdorë Lëvizja Vetëvendosje për të parandaluar ose për të bllokuar krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës”, tha Zemaj në një konferencë për media.
Kujtojmë, Lëvizja Vetëvendosje do të tentojë të shtunën për herë të dhjetë të fitojë votat që po i mungojnë për të zgjedhur kryetarin e ri të legjislaturës nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Nëntë përpjekjet e deritanishme kanë përfunduar pa sukses, pasi ish-ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu nuk po arrin t’i merr 61 votat e nevojshme.
Ajo është propozuar nga partia fituese e zgjedhjeve gjashtë herë, por jo edhe herën e fundit, pasi Lëvizja Vetëvendosje kërkoi përmes kryesuesit të seancës Avni Dehari që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, por kjo nuk gjeti mbështetje pasi dështoi formimi paraprak i komisionit ad-hoc për mbikëqyrjen e kësaj procedure.
Për këtë propozim, nga 110 deputetët prezentë në sallë, kanë votuar 56, prej tyre 55 pro, një kundër, ndërsa pjesa tjetër nuk ka votuar.
Seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë ka nisur më 15 prill dhe nuk është mbyllur as më 1 maj, kështu që nesër nga ora 10:00 do të ketë një tjetër vazhdim – për herë të dhjetë, raporton KosovaPress.