Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ndaj gjyqësorit është ndërtuar një narrativë negative, por në realitet qytetarët e njohin punën dhe sfidat e sistemit gjyqësor.
Sipas tij, gjyqtarët janë qytetarë të zakonshëm me barrë të veçantë përgjegjësie, dhe nuk janë më pak patriotë se kushdo tjetër në shoqëri.
“Unë po besoj që edhe tani kur po flas, është një armatë e tërë e njerëzve që ndërtojnë ide prej më të çuditshmëve për gjyqësorin, ndërkaq që ne jemi njerëz të zakonshëm të këtij vendi, që vijmë prej shkollave të njëjta si unë e ti e të gjithë të tjerët, që jemi rritur në frymën e njëjtë sociale, shoqërore, madje edhe patriotike me thanë të drejtën, sepse s’besoj që të tjerët janë më patriotë se gjyqtarët, por që pesha e përgjegjësive dallon, dhe në këtë rast me thanë të drejtën, kemi barë dhe bartim përgjegjësi specifike komplekse”, tha Zogaj.
Ai shtoi se pavarësisht kritikave, mijëra qytetarë përballen çdo ditë me gjykatat dhe mund të shohin vetë se çfarë ndodh aty.
“Në këto vitet e fundit kanë pasur qytetarët shumë çështje në gjykata, pafundësisht çështje, do me thanë në mënyrë të çuditshme ka ndodh, por të gjithë kanë mundësi me e pa realisht çfarë ndodh në gjykatë, a ka njerëz të korruptuar, në qoftë se me mijëra njerëz shkojnë në gjykatë çdo ditë, a ka ndodh ndonjë rast…”, u shpreh Zogaj.
Deklaratën e plotë të Albert Zogajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: