Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje partneriteti ekonomik që i jep Uashingtonit akses në mineralet e rralla të Ukrainës, në këmbim të krijimit të një fondi investimi amerikan.
Marrëveshja u finalizua pas negociatave të gjata dhe u nxit nga rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Është një gjë shumë e mirë, nëse Zelensky e nënshkroi marrëveshjen sepse Rusia është shumë më e madhe dhe shumë më e fortë”, tha Trump.
“Sot bëmë një marrëveshje ku marrim, e dini, shumë më tepër në teori, sesa 350 miliardë dollarët, por unë doja të isha i mbrojtur. Nuk doja të isha atje dhe të dukesha budalla.”
Sipas të dhënave zyrtare, SHBA ka kontribuar me afro 123 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën që nga fillimi i agresionit rus në shkurt të vitit 2022.
“Kjo marrëveshje i sinjalizon qartë Rusisë se Administrata Trump është e përkushtuar ndaj një procesi paqeje të përqendruar në një Ukrainë të lirë, sovrane dhe të begatë në planin afatgjatë”, deklaroi sekretari i Thesarit, Scott Bessent.
Ministrja e Ekonomisë e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, ishte në Uashington për të nënshkruar në emër të qeverisë ukrainase. Ndër kushtet e marrëveshjes janë “pronësia dhe kontrolli i plotë” që do të mbetet me Ukrainën, shkroi ajo në X të mërkurën.
Ukraina ka depozita të 22 prej 50 materialeve kritike për SHBA-të, të rëndësishme për industrinë dhe mbrojtjen, ndërsa Kina vijon të dominojë tregun global të këtyre mineraleve.