Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale, duke kritikuar qasjen politike të partive me të cilat, sipas tij, nuk mund të ndërtohet dialog e bashkëpunim institucional.
Ky reagim i Abdixhikut vjen pas takimit të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, njëherësh kandidat për kryeministër i koalicionit LVV-Guxo dhe Alternativa, me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe dështimit për herë të nëntë me radhë të seancës për konsituimin e Kuvendit të Kosovës.
Derisa LDK-ja ka refuzuar t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit për takimin e sotëm, Abdixhiku ka shkruar se zhvillimet e fundit tregojnë se me “të tillët” nuk mund të ketë as takim e as mirëkuptimit.
Sipas tij, “LDK mbetet e konsistente në qëndrimet e saj – para, gjatë dhe pas zgjedhjeve – dhe se përkrahësit e saj kanë arsye të ndihen krenarë”.
Reagimi i tij vjen në një moment të kritik politik, mes përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit.
Postimi i tij i plotë:
A po e kuptoni tani, se pse me të tillët, nuk mund të kesh as takim e as mirëkuptim?
Të takojnë, të mashtrojnë!
Gjersa të thërrasin në takim, jashtë të ofendojnë.
Në fund veprojnë në arbitraritet të plotë!
Sepse nuk njohin njerëzoren, as fjalën as kurrizin!
Kjo politikë duhet të marrë fund! LDK do t’i japë fund!
Është interes kombëtar refuzimi i qasjes së tillë politike, jo nënshtrimi e dorëzimi para saj. Shpresoj dhe partitë tjera ta kuptojnë këtë gjë sa më parë.LDK e ka të qartë.
Prandaj është konsistente.
Para, gjatë e pas zgjedhjeve.
Prandaj votuesi e mbështetësi i LDK-së sot rri krenar!✌️