​Myslimanët francezë në protesta, ndërsa arrestohet i dyshuari për vrasjen në xhami

Liderët myslimanë të Francës kanë thënë se duhet të bëhet më shumë për të kundërshtuar urrejtjen anti-myslimane në Francë, pas arrestimit të një burri të dyshuar për therje dhe vrasje të një besimtari të ri brenda një xhamie në një fshat në jug të vendit, shkruan The Guardian.

Olivier A, 21 vjeç, një shtetas francez i lindur në Lion, iu dorëzua policisë në Itali të dielën pas tre ditësh në arrati, njoftuan prokurorët francezë të hënën në mëngjes.

Ai dyshohet për vrasjen e Aboubakar Cissé, 22 vjeç, një burrë malian që ishte duke u trajnuar në Francë si zdrukthar dhe punonte si vullnetar në xhaminë e La Grand-Combe në juglindje të Francës.

Olivier A dyshohet se ka hyrë në xhami të premten në mëngjes dhe ka therur Cissé-n disa herë. Ai dyshohet se ka filmuar viktimën e tij në agoni me një telefon mobil. Në pamjet, një burrë mund të dëgjohet duke e përgëzuar veten, duke thënë: “E bëra” dhe duke sharë Allahun, përcjell KosovaPress.

Cissé kishte shkuar në xhami vetëm herët të premten në mëngjes për të lutur. Trupi i tij u gjet kur besimtarët filluan të vinin më vonë atë mëngjes për lutjet. Ngjarja në këtë fshat të provincës franceze ka shkaktuar tronditje, duke e bërë presidentin Emmanuel Macron të thotë se nuk ka vend për urrejtjen fetare në shoqërinë franceze dhe kryeministrin François Bayrou të dënojë një krim “islamofobik”.

Mohammed Moussaoui, kreu i Këshillit Mysliman të Francës, i tha radios France Info: “Një shumicë e madhe myslimanësh në Francë ndihen se urrejtja anti-myslimane nuk merret aq seriozisht sa urrejtjet e tjera”. Ai tha se myslimanët janë “të shqetësuar dhe të brengosur” për klimën aktuale dhe pyeti pse nuk ishte hapur një hetim për terrorizmin në këtë rast.

Abdelkrim Grini, prokurori shtetëror në qytetin e jugut të Alès, i tha BFMTV-së të hënën se sulmuesi i dyshuar ishte drejtuar në një stacion policie italian afër Firences rreth orës 11:30 të së dielës në mbrëmje.

Ai tha: “E dinim që ai kishte lënë Francën… Ishte vetëm çështje kohe që ta kapnim. Dyshuari nuk kishte mundësi tjetër përveçse të dorëzohej.”

Grini tha se një “motiv anti-mysliman ose islamofobik” ishte pista kryesore në hetim, duke pasur parasysh natyrën e krimit dhe faktin se një besimtar ishte bërë shënjestër gjatë lutjes brenda një xhamie.

Ai tha se kishte gjithashtu elemente të tjera në hetim që mund të sugjeronin se dyshuari kishte një “fascinim me vdekjen” dhe kishte dashur të vriste dhe “të njihej si një vrasës serial”.

Ibrahim Cissé, kushëriri i Aboubakar Cissé, i tha Le Parisien të dielën: “Kushëriri im u bë shënjestër sepse ishte mysliman”. Ai tha se e konsideronte krimin si një akt terrorizmi: “Ishte i parapërgatitur, personi e dinte se shkoi për të vrarë dikë në një xhami… Për ne, Aboubakar është viktima e një sulmi terrorist”.

I dyshuari mendohet të ketë qenë i papunë dhe të ketë jetuar në La Grande-Combe. Grini tha: “Ai ishte dikush që ka mbetur jashtë radarëve të sistemit të drejtësisë dhe policisë”.

Në La Grand-Combe, më shumë se 1,000 njerëz u mblodhën të dielën për një marshim të heshtur në kujtim të viktimës, duke u nisur nga xhamia Khadidja, ku ndodhi therja, deri në bashkinë e qytetit.

Abdallah Zekri, rektori i një xhamie në Nîmes, dënoi klimën islamofobike në Francë. Disa qindra njerëz gjithashtu u mblodhën në Paris të dielën për të protestuar kundër islamofobisë.

Macron shkroi në rrjetet sociale të dielën për të shprehur mbështetje për familjen dhe “për shokët tanë myslimanë”. Ai postoi në X: “Racizmi dhe urrejtja bazuar në fenë nuk do të kenë kurrë vend në Francë”.

Qeveria franceze ka urdhëruar policinë të forcojë sigurinë në xhami në të gjithë vendin.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA