Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dritën e gjelbër Ligjit për Zyrtarët Publikë, meqë ka gjetur se nenet e kontestuara nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Në njoftimin e Kushtetueses thuhet se është vendosur që Ligji t’i dërgohet Presidentes Vjosa Osmani për shpallje.
Ky ligj ishte dërguar në gjykatë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Më 23 janar të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese kishte shpallur të pavlefshme disa nene të këtij ligji dhe obligonte Kuvendin që brenda 6 muajve t’i bënte ndryshimet e nevojshme në këtë ligj.
Deputetët kishin miratuar ndryshimet në Ligj gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës më 30 tetor 2024.