Mijëra njerëz pritën me orë në radhë nën diellin e nxehtë pranveror të mërkurën në Sheshin e Shën Pjetrit për t’ia dhënë respektin e fundit Papa Françeskut, arkivoli i thjeshtë i drunjtë i të cilit është vendosur në altarin kryesor të bazilikës së shekullit XVI, ku do të qëndrojë deri të premten në mbrëmje.
Papa Françesku vdiq në shtëpinë e tij në Casa Santa Marta të hënën në moshën 88-vjeçare pas një sulmi në tru dhe dështimit të zemrës. Ai ishte duke u shëruar nga pneumonia e dyfishtë, që e kishte lënë në spital për pesë javë, raporton gazeta “The Guardian”.
Ndryshe nga shumica e paraardhësve, arkivoli i tij, të cilin po e ruajnë dy roja zvicerane, nuk është ngritur në një platformë. Kjo ishte njëra nga rregullat e shfuqizuara nga Papa Françesku, kur vitin e kaluar i kishte thjeshtësuar rregullat për funeralet e papëve.
Mesha e funeralit të tij do të mbahet të shtunën në mëngjes në Sheshin e Shën Pjetrit, ngjarje në të cilën do të marrin pjesë udhëheqës të ndryshëm botërorë, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump, dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer. Papa më pas do të varroset në Bazilikën “Santa Maria Maggiore” në lagjen Esquilino të Romës, duke thyer një traditë të gjatë të Vatikanit.
Thousands of people queued at St. Peter’s Basilica to pay respect to Pope Francis, who will lie in state for three days ahead of his funeral on Saturday. Pilgrims travelled from across the world for a final glimpse of the late pontiff. pic.twitter.com/MqDdfP9kWb
— Al Jazeera English (@AJEnglish) April 23, 2025
Deri të mërkurën në mbrëmje, një zyrtar i Vatikanit tha se gati 20 mijë njerëz, nga të gjitha anët e botës, ishin pjesë e turmës që po priste në radhë, e cila shtrihej përgjatë rrugës që çon në Qytetin e Vatikanit. Shumë prej njerëzve po mbanin çadra për t’u mbrojtur nga dielli.
Të përgatitur për pritjen e gjatë, një grua e quajtur Abigail dhe familja e saj nga Kalifornia e ShBA-së kishin marrë edhe ushqim me vete. “Presim me qejf aq gjatë sa të nevojitet. Është privilegj të jesh këtu” – tha ajo.
Edhe pse njerëzit ishin të vetëdijshëm se Papa Françesku ishte i sëmurë seriozisht, disa që po prisnin në radhë për ta respektuar ende e kishin të vështirë ta besonin vdekjen e tij. “Duke e çuditshme që ai nuk është më me ne” – tha Piotr Grzeszkyk nga Polonia./Nacionale