Trajneri i Fenerbahçes, Ismail Kartal, dha dorëheqjen pas barazimit 1:1 ndaj Romës në Champions League, pasi një tifoz e goditi me shishe në kokë gjatë ndeshjes të enjten mbrëma.
65-vjeçari e bëri të ditur vendimin gjatë konferencës për shtyp pas sfidës në Stamboll, duke deklaruar se po largohej për të mos u kthyer më dhe se e kishte marrë këtë vendim për “t’i hapur rrugë klubit”.
Megjithatë, dorëheqja e Kartalit nuk u pranua nga presidenti i Fenerbahçes, Aziz Yildirim, i cili i dha mbështetjen e tij trajnerit dhe konfirmoi se ai do të vazhdojë të jetë në krye të skuadrës.
“Disa tifozë hodhën një shishe në kokën e trajnerit gjatë ndeshjes. Ai është i shqetësuar për këtë”, deklaroi Yildirim.
“Kam folur me Ismail Kartal. Ai përmendi incidentin me shishen dhe gjithashtu u ankua se është nën presion të madh.”
I pyetur nëse Kartal i kishte komunikuar se do të qëndronte në detyrë, presidenti u përgjigj: “Nuk ka nevojë që ai të thotë se do të vazhdojë. Unë jam eprori i tij. I kam thënë të vazhdojë dhe kaq. Ne jemi një familje”.
Yildirim foli gjithashtu për presionin e madh që po përjetojnë trajneri dhe skuadra, pavarësisht se Fenerbahçe ka arritur objektivin e parë të sezonit, rikthimin në Champions League.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo situatë do të ndikojë te Kartal dhe skuadra në vazhdim të sezonit, apo nëse mbështetja e presidentit do të mjaftojë për të qetësuar situatën në klub.





