Pas ndërprerjes së seancës së pestë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi se vendi nuk mund të mbetet më gjatë pa institucione funksionale, duke kërkuar nga të gjitha palët të kontribuojnë për tejkalimin e situatës aktuale politike, raporton ATV.
“Vërtetë është pak një lojë nervash, por gjithmonë konstituimi i institucioneve ka rrugën dhe vështirësitë e veta. Në ditët në vijim, besoj që të gjithë do të angazhohemi të kontribuojmë për të dalë nga kjo situatë. Kosova nuk e ka luksin me mbet pa institucione,” tha Limaj para gazetarëve, duke shtuar se pret përpjekje të përbashkëta për të gjetur zgjidhje.
I pyetur nëse është takuar me kryeministrin në detyrë Albin Kurti për të diskutuar mundësinë e një kompromisi, Limaj u përgjigj shkurtimisht: “Jo bre, jo, se marova t’u ju thanë. Kush t’më thirrë, takohemi, kam thënë.”
Seanca e sotme dështoi sërish të çojë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërsa seanca e radhës është paralajmëruar për të premten në orën 11:00. /atvlive.tv