Me rastin e 22 prillit, Ditës së Tokës, Komuna e Obiliqit organizoi disa aktivitete për pastrimin dhe gjelbërimin e hapësirave publike, si shenjë e kujdesit ndaj mjedisit, raporton KosovaPress.
Fillimisht u bë mbjellja e luleve në rreth-rrotullimin kryesor të qytetit, ku morën pjesë edhe disa nxënës të qytetit, për të vazhduar më pastaj me mbjelljen e disa pishave në oborrin e Gjimnazit “17 shkurti”, dhe me mbjelljen e drunjve urbanë dekorativ në oborrin e QKMF-së.
Në hyrje të qytetit tek rreth rrotullimi në Shkabaj u bë mbjellja e drunjve, një aktivitet i përbashkët mes Komunës së Obiliqit dhe Prishtinës, ku morën pjesë kryetarët e dy komunave.
Kryetari i Obliqit, Xhafer Gashi, tha se njëqind drunj janë njëqind jetë të reja, duke pasur parasysh ndotjen e ambientit në këtë qytet.
“Ne sot jemi këtu për ti mbjelljen njëqind drunjve, njëqind jetë të reja që për Obiliqin do të thotë shumë duke u bazuar shumë në industrinë që Obiliqi e ka për prodhimin e energjisë, ndotja e ambientit e shumë çështje të tjera. Mirëpo kjo është një nismë nga dy drejtorë me një marrëveshje, dhe mbesim me shpresë që këtë pjesë të marrëveshjes të fillojnë të implemtojnë edhe drejtorit e tjera, siç e parasheh edhe marrëveshja, bashkëpunimi ndërkomunal është jashtëzakonisht i mirë, janë bashkim i një fuqie të përbashkët në cilën do temë që ato zhvillohen”, theksoi ai.
Ndërsa, kryetari i Prishtinës Përparim Rama deklaroi se si rezultat i bashkëpunimit ndër-komunal po i mbjellin njëqind drunj, dhe se përfitues përveç kryeqytetit do të jetë edhe Obiliqi.
“Jemi këtu me kryetarin Xhaferi të Obiliqit në një bashkëpunim ndërkomunal sot për ditën e tokës të mbjellim njëqind drunj, kjo faktikisht është një proces bashkëpunimi si rezultat edhe i projektit madh Solar for Kosovo, ku gjithë ai projekt shkon për të mirën, shumica për të mirën e kryeqytetit, një pjesë edhe për të mirën e komunës së Obiliqit, mirëpo jemi shumë falënderues sepse toka që përdoret për “solar for Kosovo” është në pjesën e Komunës së Obiliqit edhe si rezultat i kemi planifikua disa pika të bashkëpunimit njëra ndër to është edhe mbjellja e drunjve, këtë që po e bëjmë sot”, tha ai.
Dita e Tokës është një ngjarje vjetore që festohet në të gjithë botën me 22 prill për të demonstruar mbështetjen për mbrojtjen e mjedisit. Dita e Tokës për herë të parë është festuar në vitin 1970, ndërsa tani përfshinë ngjarje të ndryshme globalisht.