Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se do të tërhiqen nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës nëse nuk shihen shenja të qarta progresi në afat të shpejtë. Këtë deklaratë e dhanë të premten Presidenti amerikan Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
“Shpejt, duam ta përfundojmë,” tha Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Ai shtoi se nëse njëra nga palët bëhet shumë e vështirë për të bashkëpunuar, SHBA do të tërhiqen dhe do të deklarojnë: “jeni budallenj, jeni njerëz të këqij”. Trump shpreson që kjo situatë të mos ndodhë.
Deklaratat e Trump vijnë pas komenteve të Rubio-s, diplomatit të lartë amerikan, i cili theksoi se palët kanë vetëm disa ditë për të bërë përparim.
“Nuk do të vazhdojmë me këtë përpjekje për javë apo muaj të tërë. Duhet ta kuptojmë shumë shpejt tani, dhe po flas për çështje ditësh, nëse kjo është e realizueshme brenda javëve të ardhshme,” tha Rubio në Paris pas takimeve me liderë europianë dhe ukrainas.
“Nëse kjo nuk është e mundur, nëse jemi aq larg sa nuk ka shpresë për marrëveshje, atëherë mendoj se presidenti do të thotë: ‘mirë, mbaruam punë’”, shtoi ai.
Trump refuzoi të vendosë një afat të saktë për sa kohë është i gatshëm të presë. “Marco ka të drejtë kur thotë… duam të shohim fundin e kësaj,” tha Trump. I pyetur nëse Presidenti rus Vladimir Putin po e zvarrit procesin, Trump u përgjigj: “Shpresoj që jo.”
Në javët e fundit, zyrtarët amerikanë kanë pranuar privatisht se shanset për një marrëveshje paqeje të shpejtë në Ukrainë janë bërë gjithnjë e më të pakta. Deklaratat e Rubio-s pasqyrojnë frustrimin në rritje në Shtëpinë e Bardhë për shkak të mosbashkëpunimit rus për t’i dhënë fund luftës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ka pasur njëfarë përparimi për një marrëveshje paqeje, por se kontaktet me Uashingtonin janë të vështira. Ai theksoi se Rusia po përpiqet të zgjidhë konfliktin duke garantuar njëkohësisht interesat e saj dhe mbetet e hapur për dialog me Shtetet e Bashkuara.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i cili po fliste në Romë pas një takimi me Kryeministren italiane Giorgia Meloni, shprehu optimizëm se SHBA mund të ndihmojnë për t’i dhënë fund kësaj “lufte shumë të përgjakshme”.
Një zyrtar amerikan njoftoi se palët do të takohen sërish në Londër javën e ardhshme, për t’i dhënë kohë Ukrainës të pajtohet plotësisht me një “marrëveshje termash” të paraqitur nga Uashingtoni. Sipas këtij zyrtari, Ukraina është e gatshme për një armëpushim të gjithanshëm në tokë, ajër dhe det për të paktën 30 ditë ose më shumë.
Trump, gjatë fushatës zgjedhore, kishte premtuar se do ta përfundonte luftën në Ukrainë brenda 24 orëve të para në Shtëpinë e Bardhë. Pas marrjes së detyrës, ai e zbuti këtë deklaratë, duke sugjeruar një marrëveshje deri në prill ose maj, për shkak të pengesave të shumta.
Ai ka ushtruar presion mbi të dy palët që të ulen në tryezën e negociatave, duke kërcënuar me sanksione më të ashpra ndaj Rusisë ose me ndërprerjen e miliarda dollarëve ndihmë ushtarake për Kievin.
Reuters shkruan se nëse Uashingtoni tërhiqet, përpjekjet për ndërmjetësim të paqes ka të ngjarë të dështojnë, pasi asnjë vend tjetër nuk ka fuqinë për të ushtruar presion të njëjtë mbi Moskën dhe Kievin.
Trump po ashtu tha se pret të nënshkruajë një marrëveshje për minerale me Kievin javën e ardhshme, pasi përpjekjet në shkurt dështuan pas një përplasjeje të Zelensky-t në Zyrën Ovale me Vance dhe presidentin republikan.
Rubio tha se kishte komunikuar me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov pas bisedimeve në Paris dhe e kishte informuar për elementet e kornizës së paqes të SHBA.
Putin ka theksuar se kërkon që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO, të dorëzojë përgjithmonë katër rajonet që ka humbur dhe të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj. Kievi ka kundërshtuar këto kërkesa, duke thënë se ato janë të barasvlershme me kapitullimin.
Rubio gjithashtu theksoi se europianët kanë një rol të rëndësishëm në çdo marrëveshje paqeje, pasi sanksionet e tyre ndaj Rusisë do të duhet ndoshta të hiqen për të arritur një marrëveshje.
Ai shtoi se çështja e garancive të sigurisë nga SHBA ishte ngritur gjatë bisedimeve në Paris, duke theksuar se kjo është një çështje që mund të zgjidhet në një mënyrë të pranueshme për të gjithë. Por ai paralajmëroi se “kemi sfida më të mëdha që duhet t’i zgjidhim”.