PËRGATITI: KRENARE MULLIQI
Pesë ditë para se t’i përfundojë mandati, kryeministri në detyrë Albin Kurti u përkujdes që edhe Doganën mos ta lë pa zot, duke riemëruar Agron Llugaliun.
Megjithëse me mandat të kufizuar ky ishte vetëm një prej disa vendimeve që Kurti mori ditëve të fundit përfshirë 13 vetëm gjatë mbledhjes së Qeverisë më 16 prill.
Por juristët thonë se Kurti nuk ka të drejtë të marrë vendime në këtë periudhë, andaj veprimet e tij shkojnë përtej kompetencave të përcaktuara me ligj.
“Në këtë situatë Qeveria ka për obligim vetëm administrimin e detyrave të domosdoshme deri në konstituimin e një Qeverie, vendime të tilla që kanë të bëjnë me orientimin e Qeverisë nuk mund të merren”, tha avokati Asdren Bytyqi.
Jashtë kompetencave qe edhe Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i cili nuk hezitoi të publikoi fotografi duke nënshkruar një Udhëzimin e ri Administrativ për arkat fiskale.
Vullnet Bugaqkut nga Instituti Demokratik I Kosovës, thekson se, nga momenti i dorëheqjes, nënshkrimi i çdo vendimi zyrtar duhet të kryhet nga zëvendësministri përkatës, jo nga ministri në detyrë.
Sipas Bugaqkut vendimet në këtë periudhë mund të merren vetëm nëse ka bazë emergjente.
Mandati katër vjeçar Qeverisë Kurti 2 përfundoi më 22 mars, por Albin Kurti bashkë më kabinetin e tij dhanë dorëheqje vetëm më 15 prill.