Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, duke e cilësuar këtë veprim si të pajustifikueshëm dhe të motivuar politikisht, raporton ATV.
Përmes një postimi në Facebook, Kuçi ka bërë të ditur se Molliqaj është ndaluar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë teksa ishte rrugës për një takim, pa marrë më parë asnjë ftesë nga gjykata.
“Ky arrestim është totalisht jashtë çdo racionaliteti… kjo sjellje nuk mund të lexohet ndryshe përveçse presion politik dhe demonstrim force nga një njësi e krijuar për situata emergjente dhe të rrezikshme, jo për të ndaluar opozitën politike”, shkroi Kuçi.
Sipas saj, përqendrimi i rasteve ndaj anëtarëve të PSD-së – të cilët, sipas saj, kanë raste të përbashkëta edhe me anëtarë të Vetëvendosjes – tregon se përndjekja është selektive dhe e drejtuar ndaj partisë që ajo përfaqëson.
“Arrestime të tilla nuk na ndalin, vetëm e bëjnë më të qartë për të gjithë kush ka frikë nga organizimi politik”, tha Kuçi, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Molliqajt. /atvlive.tv