Pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që ndodhi dje, Presidenca ka konfirmuar se ka pranuar zyrtarisht letrën nga Kuvendi dhe është duke shqyrtuar përmbajtjen e saj për të vendosur për hapat e ardhshëm institucionalë, raporton ATV.
“Letra sapo ka ardhë në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, ka thënë për ATV-në këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina.
Ky njoftim vjen pas paralajmërimit të kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, se Kuvendi do të njoftojë Presidenten për situatën e krijuar, pas mosvotimit të raportit për verifikimin e mandateve nga ana e opozitës.
Tashmë pritet reagimi zyrtar nga Zyra e Presidentes, e cila mund të kërkojë interpretim kushtetues apo të thërrasë konsultime shtesë me liderët institucionalë. /atvlive.tv