Dhjetëra mijëra persona kanë protestuar në qytetet e mëdha në Shtetet e Bashkuara për të kundërshtuar, siç kanë thënë, politikat përçarëse të presidentit Donald Trump.
Protestat e 5 prillit ishin demonstratat më të mëdha që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar.
Kundërshtarët e politikave të presidentit amerikan – nga shkurtimet e stafit në qeveri e deri te tarifat tregtare dhe kufizimi i të drejtave civile – kanë protestuar në Uashington, Nju Jork, Hjuston, Florida, Kolorado, Los Anxhelos dhe në qytete të tjera.
“Jam shumë e zemëruar gjatë gjithë kohës. Një grup i personave të privilegjuar janë duke e kontrolluar shtetin tonë. Situata nuk është mirë”, tha piktorja nga Nju Jorku, Shaina Kesner, e cila po protestonte në Manhatan.
Në Uashington, mijëra protestues – shumica që kishin shkuar nga pjesë të tjera të SHBA-së – protestuan kundër politikave të Trumpit.
“Kemi afër 100 persona që erdhën me autobusë dhe furgonë nga Nju Hampshir për të protestuar kundër kësaj administrate që po bën që të humbasim aleatë në mbarë botën, po shkakton shkatërrim për njerëzit në SHBA”, tha protestuesja Diane Kolifrath.
“Ata po e shkatërrojnë qeverinë tonë”.
Në Denver, Kolorado një grup i madh personash protestuan dhe mbajtën pankarta me mbishkrimin: “SHBA-së nuk i duhet një mbret”.
Tubime kundër Trumpit u mbajtën edhe në disa kryeqytete evropiane, ku protestuesit shprehën kundërshtimin e tyre me politikat tregtare të presidentit amerikan.
“Ajo çfarë po ndodh në Amerikë është problemi i të gjithëve”, tha për AFP-në Liz Chamberlin, një qytetare me shtetësi amerikane dhe britanike, teksa protestoi në Londër.
“Është çmenduri ekonomike… Ai po na shtyn drejt një recesioni global”.
Në Berlin, pensionistja Susanne Fest, tha se Trumpi ka krijuar “një krizë kushtetuese”.
Protesta kundër politikave të administratës amerikane e organizuar në Berlin të Gjermanisë.
Protesta kundër politikave të administratës amerikane e organizuar në Berlin të Gjermanisë.
Në SHBA, një koalicion i grupeve me prirje të majta, sikurse MoveOn dhe Women’s March, tha se ka organizuar ngjarje të quajtura “Duart Larg” në mbi 1.000 qytete.
Trump ka zemëruar shumë amerikanë, pasi ka marrë vendimin që të bëjë shkurtime të stafit qeveritar, ka rritur presionin ndaj shteteve për tregtinë dhe ka vendosur tarifa ndaj importeve nga shumë shtete, duke tronditur tregjet e aksioneve.
Shumë demokratë janë të pakënaqur që partia e tyre, që është në opozitë në dy dhomat e Kongresit, duket se është e pafuqishme t’iu kundërvihet veprimeve të Trumpit.
Protestat e 5 prillit gjerësisht ishin paqësore.
Pavarësisht kundërshtimeve në mbarë botën për tarifat e vendosura nga Trumpi më herët gjatë javës ndaj importeve nga shumë shtete të botës dhe zemërimit të shumë amerikanëve, Shtëpia e Bardhë i ka shpërfillur protestat.
“Politikat e mia nuk do të ndryshojnë kurrë”, tha Trump të premten/rel.