“Nën një qiell me pupla”, tani është para lexuesve kosovarë edhe në gjuhën shqipe. Ish-oficeri britanik, Ade Clewlow ka përmbledhur në një libër historinë e tij në Kosovë mbi ngjarjet e rëndësishme të viteve 2008-2009. Britaniku në atë kohë ishte me një mision operacional në Kosovë.
Ish-ushtaraku në atë kohë ishte dëshmitar i një prej proceseve më të rëndësishme – shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës, dhe krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Pasi përfundoi misionin e tij më 2009 në Kosovë, Clewlow u kthye në Britaninë e Madhe dhe gjashtë vjet më vonë e nxori librin “Under A Feathered Sky”.
Në Prishtinë, u kthye sërish pas disa vjetësh, që lexuesve kosovarë t’ua sjellë librin edhe në gjuhën shqipe.
Ade Clewlow tha të enjten se libri iu dedikohet qytetarëve të Kosovës.
“Unë besoj me pasion se është një libër i rëndësishëm për njerëzit që ta lexojnë, të cilët ndoshta normalisht nuk do të kishin mundësinë që të dinë se çfarë ndodh “prapa telave” ose “prapa vellos” të një organizate multinacionale. Pra, tani mendoj se kam ardhur rreth e qark, gjysma e rrethit ishte të publikoja librin në gjuhën angleze dhe tani kemi bërë një rreth të plotë, libri është publikuar në shqip. Libri është i dedikuar për njerëzit e Kosovës, dhe tani jam shumë shumë i lumtur, që njerëzit e Kosovës mund ta lexojnë atë”, tha ai.
Ai pati edhe një mesazh për institucionet vendore, për çka tha se është momenti që të rivendosen marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.
“Në këtë moment jemi në një kohë shumë të vështirë në aspektin gjeopolitik, çfarë besuam para gjashtë muajve nuk është realiteti sot. Pra, mendoj se në shumë mënyra është koha që të rivendosim marrëdhëniet dhe është momenti që të lidhemi me Evropën dhe me Mbretërinë e Bashkuar, që ata të njohin rëndësinë e ruajtjes së një Ballkani të qëndrueshëm, pra një Kosove të qëndrueshme. Dhe ky është mendimi im personal, duhet të bëhet një BE e bashkuar, në mënyrë që të ketë ndonjë shpresë për një mjedis më të qëndrueshëm në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.
Zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Enver Cikaqi foli për kontributin e ish-ushtarakut britanik gjatë kohës sa ka shërbyer në Kosovë.
“Edhe sot e kujtojmë me shumë pietet kontributin e Ade. Ajo çfarë është më e rëndësishme që do ta them në perspektiven time dhe nga detyra dhe pozita ime që jam sot duhet që të falënderojë shumë Ade për kontributin e tij dhe në të njëjtën kohë edhe për librin ngase kjo tregon se historia e bashkëpunimit edhe komunikimit të përbashkët mes dy forcave tona daton që prej luftës, para gjeneral Çekut dhe gjeneral Haradinajt, në këtë rast që marrë këtë të drejtë për të thënë se sa e rëndësishme ka qenë bashkëpunimi i të dy forcave tona që nga koha e luftës”, u shpreh Cikaqi.
Ish-shefi i AKI-së, Burim Ramadani tha se ky libër është unik dhe dëshmi e gjallë, të cilin duhet ta lexojnë të gjithë.
“Ato javë të themelimit të FSK-së, menjëherë pas pavarësisë së Kosovës nuk kanë qenë të zakonshme. Dhe në atë periudhë historia është bërë ose të paktën një pjesë e historisë së Kosovës është bërë dhe autori Ade Clewlow i ka përshkruar jo vetëm nuancat e atyre momenteve por e ka përshkruar edhe rrjedhën se si për të arritur suksesin duhet të ketë jashtëzakonisht dedikim ose përshkrim. Siç e përshkruan autori Ade, jo të gjithë ishin të lumtur në ato momente lumturie të themelimit të Forcës. Ishin shumë aktorë të involvuar. Besoj që ky libër është dëshmi e gjallë që secili duhet ta lexojë dhe veçanërisht oficerët e rinj, politikanët e rinj, diplomatët në Kosovë dhe profesionistët e angazhuar”, tha ai.
Në promovimin e këtij libri mori pjesë ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, udhëheqësi i parë i TMK-së Agim Çeku dhe gjeneral Xhavit Gashi.
Ade Cloëloë, i ngarkuar me misione në shumë vende të botës, u gjend në Kosovë si kolonel-lejtënant në vitin 2008 – pak pas shpalljes së pavarësisë.
Ai ishte i ngarkuar me detyra operacionale për gjashtë muaj dhe pa prej afër procesin e shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës, si dhe krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovë që u bë në janar të vitit 2009.
Përvojën e tij në Kosovë e ruajti edhe të shkruar, të cilën më vonë do ta titullonte “Under a Feathered Sky: Role in the Neëly Independent Kosovo” (Nën një qiell me pupla: Historia e parrëfyer e rolit të NATO-s në Kosovën e pavarësuar rishtas)./kp