Përgatiti: Sara Mulliqi
Gjashtë lokale të tregut të Gjelbër në Prishtinë u përfshinë nga zjarri mëngjesin e së enjtes.
Reagimi i zjarrfikësve ishte i shpejt.
“Është bërë prerja e zjarrit nga dy anët në mënyrë që të mos lejohet shpërndarja e mëtutjeshme, pasi që lokalet janë të ndërlidhura me njëra tjetrën”, tha Malë Gashi, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë.
Pronarë të lokaleve na thanë prapa kamerave se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar si pasojë e një bombole gazi që përdorej nga lokalet pranë lagjes.”
Rexhep Avziu pronar i njërit prej lokaleve të djegura tha se dëmet nga zjarri janë mjaft të mëdha.
“Dëmin e kam mjaft të madh sepse kam pasur pajisje teknike të lokalit. Afërsisht me makina, me material të lokalit dëmin e kam diku rreth 15 mijë minimal, sa i përket meje”, tha Avziu.
Në anën tjetër, nga Komuna e Prishtinës presin të konstatohen shkaktarët e zjarrit për të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm.
“Duhet parë shkaktarët e kësaj fatkeqësie, përgatitjen e një analize të detajuar nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca dhe pastaj nëse ka hapësirë e mundësi financiare të shihet mundësia e ndihmës”, tha zëdhënësi i Komunpës së Prishtinës, Donat Lushaku.
Tregu i Gjelbër ishte përfshirë edhe njëherë nga zjarri në Qershor të vitit 2023.