Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të mbyllen qendrat e votimit në përfaqësitë diplomatike në tre vende, në Kanbera në Australi, Ankara të Turqi dhe Iowa në ShBA me 32 votues. Kjo për shkak numrit të vogël të votueseve.
Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani ka thënë se gjithë këta votues të regjistruar do të mund të votojnë përmes postës në kutitë postare që janë të hapur nga KQZ në këto shtete.
“Po ashtu Këshilli i Operacioneve Zgjedhore ka shqyrtuar edhe një rekomandim të ardhur nga sekretariati i cili është diskutuar po ashtu edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme për mbylljen e tre qendrave të votimit, ku po ashtu janë njoftuar edhe votuesit e këtyre përfaqësive diplomatike e qendrave të votimit jashtë vendit që do të mbyllen. Pra, bëhet fjalë për Kanbera në Australi, e cila ka pas 18 votues të regjistruar, bëhet fjalë për Ankaranë në Turqi me 25 votues të regjistruar për votim fizik dhe Iowa në ShBA me 32 votues të regjistruar për votim fizik…Votuesit të cilët kanë qenë të regjistruar për votim fizik në këto tre përfaqësi diplomatike do të udhëzohen që të votojnë me postë brenda kutisë në kuti postare në vendin përkatës”, tha Elshani.
Po ashtu, është miratuar dizajni dhe sloganin për fushatën e informimit publik.
“Kemi rekomandim për dizajn dhe sloganin që do të përdorët për këto zgjedhje…Slogani është ky “Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, vota jote për Kosovën 2025, ky është slogani”, tha Elshani.
Në mbledhjen që ka mbajtur KQZ të martën, po ashtu ka akredituar vëzhguesit e dhjetëra përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare. Në mesin e të akredituarëve ishin edhe organizata jo-qeveritare vendore dhe vëzhgues nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Në përgjithësi, KQZ akeditoi grupin e radhës prej 1 mijë e 680 vëzhguesve për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, prej të cilëve 13 vëzhgues nga trupa të menaxhimit të zgjedhjeve nga shtete të ndryshme, 81 vëzhgues të përfaqësive të vendeve të huaja të akredituara në Kosovë, 1 mijë e 126 vëzhgues nga OJQ-të vendore, 393 vëzhgues nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe 67 vëzhgues nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Nga numri i përgjithshëm i të akredituarëve, KQZ akreditoi rreth 400 vëzhgues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, të cilat janë të specializuar në fushën e zgjedhjeve, në mesin e të cilave: Misioni Vëzhgues i Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Asambleja Paramentare e Këshillit të Evropës, Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhorë Botërorë (A-WEB), IFES, International IDEA, National Demokratic Institute (NDI), International Republican Institute (IRI), Zyra e BE-së në Kosovë, etj.
Po ashtu, KQZ ka akreditoi më shumë se 80 vëzhgues të ambasadave të ndryshme në Kosovë, 24 prej të cilëve nga ambasada e SHBA-ve dhe 30 të tjerë nga ajo e Britanisë së Madhe. Edhe ambasadat e shteteve tjera si ajo e Francës, Italisë, Holandës, Japonisë, Finlandës, Suedisë dhe Turqisë, u akredituan nga KQZ.
Sipas njoftimit të KQZ-së, zgjedhjet e 9 shkurtit do të vëzhgohen edhe nga institucione zgjedhore nga shtete të ndryshme, si Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Bullgaria./kp