Krasniqi konfirmon se kishte Gjykatë Ushtarake në UÇK, flet edhe për qendën e ndalimit në Kleçkë

Dëshmitari Naser Krasniqi ka treguar se një person i quajtur Sabit Shala është arrestuar me urdhër të Sokol Dobrunës, duke shtuar së më pas i arrestuari është dërguar në Qendrën e ndalimit në Kleçkë.

Veç kësaj, dëshmitari Krasniqi gjatë dëshmisë së tij konfirmoi se ka pasur Gjykatë Ushtarake, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Nënshkrimi që ka përgatitur dhe dorëzuar këtë kallëzim penal është i imi në anën e djathtë ku është emri, mbiemri dhe nënshkrimi. Kurse, në anën e majtë ku është data dhe nënshkrimi i personit që ka pranuar çështjen. (Nënshkrimi është ) i zotit Sokol Dobruna”, tha dëshmitari fillimisht për një dokument që iu prezantua.

Për Sabit Shalën, dëshmitari tha se është i vetmi person që është ndaluar me urdhër të Sokol Dobrunës.

“Dhe është i vetmi person që është mbajtur në Terpezë, në të njëjtin objekt dhe shtëpi ku kemi qëndruar unë, Bajram Gashi dhe disa motra medicinale, ku njëra prej tyre ka qenë edhe motra e Bajram Gashin dhe nga aty derisa e kemi përgatitur dosjen, kemi përcjellë çështjen dhe personin tek zoti Sokol Dobruna, përkatësisht në qendrën e mbajtjes”, tha dëshmitari.

Ai tha se në Kleçkë ka pasur qendër ndalimi, ku është dërguar edhe Sabit Shala.

“Janë dorëzuar çështja-lënda dhe personi është dërguar në mbajtje në Qendrën e ndalimit në Kleçkë”, tha Krasniqi.

Naser Krasniqi gjithashtu shtoi se kishte ardhur babai i Sabit Shalës për ta kërkuar të birin, për çka ky e kishte informuar se ishte dërguar ne Qendrën e ndalimit në Kleçkë.

“Pas disa dite aty në Terpezë ku qëndronim në shtëpinë afër shkollës ku qëndronim me Bajram Gashin dhe persona të tjerë që i ceka më herët, ka ardhur babai i zotit Sabit Shala për ta kërkuar djalin e tij. Ka qenë së bashku me një shoqërues. Ai pyeti për djalin e tij se ku e ka djalin. E informova se djalin e ka në Qendren e ndalimit në Kleçkë”, tha dëshmitari.

Duke treguar se çfarë bisedoi me babain e Sabit Shalës, ai konfirmoi se kishe Gjykatë Ushtarake sipas tij në UÇK.

“Pastaj, ai tha se unë kam ardhur që unë të rri në vend të djalit dhe djali të lirohet. Atëherë unë i shpjegova që nuk është në kompetencat e mia një gjë e tillë dhe pasi pyeti unë i tregova që është në kompetencën e Gjykatës Ushtarake dhe ai kërkoi që të takohej me kryetarin e Gjykatës Ushtarake për ta diskutuar të njëjtën kërkesë të tij. Meqenëse Bajram Gashi administrator i togut të Policisë Ushtarake e njihte paraprakisht Habibin, atëherë ne së bashku vendosëm që të ia bëjmë një favor dhe vendosëm që së bashku të shkojmë në Divjakë për ta takuar zotin Sokol Dobruna”, tha dëshmitari Krasniqi.

Dëshmitari tregoi se kur shkoi të fliste me Sokol Dobrunën, ky i fundit i kishte thënë se “si ka mundësi që krimineli ka ardhur ta nxjerrë kriminelin”.

“Aty për t’u futur tek Shtabi i Përgjithshëm përkatësisht tek zoti Sokol Dobruna ka pasur një roje, ka qenë një laurë e vendosur diku në hyrje pak më lartë. Ata të tre kanë mbetur tek laura dhe roja ku ka qenë për të hyrë në Shtabin e Përgjithshëm, ndërsa unë kam shkuar tek Sokol Dobruna. Ia kam shpjeguar Dobrunës tërë atë që e thash se kush ka ardhur dhe pse ka ardhur dhe që dëshironte ta takonte Dobrunën. I njëjti u deklarua se si ka mundësi me ardhë krimineli me e nxjerrë kriminelin nga burgu. Me ardhë krimineli me garantu për kriminelin”, tha dëshmitari Krasniqi.

Si rrjedhojë, dëshmitari tha se Dorbuna ka urdhëruar që të dërgohen dy anëtarë të njësisë së Shtabit të Përgjithshëm që ta ndalojnë babain e Sabit Shalës, Habibin.

“Jo veç që nuk ka pranu të takohet dhe diskutojë me prindin e Sabitit, por ka urdhëruar përgjegjësin e sigurimit, njësisë së Shtabit të Përgjithshëm që t’i dërgojë dy persona të asaj njësie për ta ndaluar zotin Habib Shalën”, tha ai.

Dëshmitari pohoi se ka pasur Rregullore të UÇK-së për mbledhjen e fondeve përmes tarifave të vendosura për automjete që ishin të regjistruara në sistemin e atëhershëm serb.

Dëshmitari shtoi se makinat që janë parë në lëvizje me këto tabela është dashur të paguajnë 300 deri në 900 marka. Tha se ka qenë detyrë, por që diku ka mundur të zbatohet më shumë e diku më pak, po ashtu se përjashtoi mundësinë që kjo detyre të mos zbatohej fare.

“Çdo detyrë që unë kam pranuar, unë e kam përcjellë të dy njësitet e mia që kanë vepruar në kuadër të Brigadës 121”, tha dëshmitari.

Ai u pyet se personat në njësitet e tij a i kanë zbatuar çdo herë detyrat që janë dhënë nga ai. Krasniqi tha se çdo herë janë munduar t’i zbatojnë detyrat për aq sa kanë pasur mundësi në kontest të rrethanave.

Dëshmitari tha se detyrën e ka marrë nga komandanti i Brigadës, i cili vetëm ai e di se nga e ka marrë këtë urdhër por që ky i fundit sipas Krasniqit është thirrur në Shtabin e Përgjithshëm.

Naser Krasniqit iu prezantua një fotografi për të cilën tha se nga 6 personat i njeh së paku katër prej tyre. Dëshmitari identifikoi Shukri Bujën, Fatmir Limajn, Naser Shalën dhe Shpejtim Telakun.

“Për këtë nuk jam i sigurt, më ngjan me dikë por nuk jam i sigurt”, kur u pyet për një gurua në fotografi, të cilën e identifikoi në mes Shukri Bujës dhe Fatmir Limajt.

Për Naser Shalën, dëshmitari tha se e ka pasur nofkën “Fytyra”. Ndërsa, për personin në fotografi që ishte afër Naser Shalës, tha se nuk e di sigurt se kush është por që i ngjan me dikën. Tha se ngjan me Fatmir Shurdhajn.

Ndërsa, për vendin e fotografisë ai tha se ngjan me ambientin e selisë së komandës së Brigadës 121 e cila para ofensivës së parë është përdorur nga pika ‘Çeliku’. Krasniqi shtoi si mundësi që fotografia mund të jetë në vendin e quajtur “Fshati i ri”.

Në një fotografi tjetër, dëshmitari tha se i njeh të gjithë dhe sipas tij ishin Fatmir Limaj, Hashim Thaçi, Sylejman Selimi, Shpejtim Telaku dhe Naser Shala. Për Telakun, dëshmitari tha se ka qenë vazhdimisht truprojë e Fatmir Limajt.

Në prova materiale u pranuan të dy fotografitë që iu prezantuan dëshmitarit.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA