Përgatiti: Arian Hajdaraj
Kjo varëse ka një histori krejt të pazakontë nga lufta: nga duart e një ushtari serb, përfundoi në duart e Antigona Krasniqit, aso kohe, 8 vjeçare.
“Një ushtar është ulë me njanin gju, i ka hapë durtë edhe më ka thirrë me më përqafu. Dikur e ka futë dorën në xhepin anash, dhe e ka nxjerrë një varëse. Ma tregoi prej së largu e më tha: “Hajde më më përqafë edhe ta jap varsen”. SHkova kur tha: hajde mere se I ka ngjyrat kuq e zi”, tha ajo.
Deri tani, vajza e kishte mbajtur me shpresën që t’ia kthejë pronares të cilës ia kishte marrë ushtari serb, por pa arritur ta gjejë.
Tani, janë rritur gjasat, meqë stolia është ekspozuar në Muzeun e Fëmijëve, i hapur në Prishtinë.
Në një kënd tjetër të hapësirës, është vendosur edhe kukulla e Ardita Sylajt, e cila në luftë ishte vetëm 4 vjeçare.
“Mami ma hjek kukullën, ma len përmi frigorifer, e ma jep ni qebe, që secili me pasë ni qebe me veti… Kur hypim në traktor, unë filloj me kajtë, thom “po kukullën? Kukullën nuk e mora”, e mami me më ndalë, ma çelin derën dhe kcej. Mami më jep leje me ni shikim, që shko merre”, tregoi ajo.
Ekspozita “Loja e ndërprerë”, e organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut, adreson pikërisht fëmijëritë që u ndërprenë dhunshëm nga lufta.
“Janë gjithsej 24 eksponate të cilat I kemi mbledhur në terren. Ky muze është një përpjekje simbolike që dënon luftën si mjet të dominimit dhe dhunës strukturore duke avokuar për drejtësi sociale dhe paqe të qëndrueshme kudo në botë”, tha drejtoresha e Muzeut të Fëmijëve të Luftës, Bjeshkë Guri.
Përveç gjësendeve në muze transmetohen edhe video-xhirime, pikërisht të kohës së luftës.
Momentalisht, muzeu është në një hapësirë private, për të cilën organizata paguan qira mujore, me shpresën se më vonë me mbështetjen e institucioneve, mund të vendosen në ndonjë objekt publik.