Sipas IGI Global, temat tabu priren të jenë çështje që një ose më shumë palë vendosin të mos i diskutojnë hapur. Përgjithësisht në tërë botën, këto tema dalin të jenë ato të cilat kanë të bëjnë me seksin, paratë, fenë dhe politikën!
Një nga temat tabu në Kosovë është virgjëria. Si shkak i përgjigjeve të disa djemve të rinj të cilët thanë se nuk do të krijonin lidhje me një vajzë që nuk është e virgjër, në mesin e temave të tjera, u diskutua edhe tema e virgjërisë në emisionin “LIBERO”.
Sipas sociologes, Florentina Dushi, kjo tregon se ka një mos diskutim të thellë rreth kësaj dhe gjithashtu një mos diskutim se çka duhet të gjesh në një lidhje me një partner!
“…Duhet të tejkalohet situata kur konsiderohet se njëra gjini është vetëm objekt, sepse në momentin që ne po flasim vetëm për virgjinitetin ne thjesht po objektivizojmë gjininë femërore…”, potencoi Dushi.
Ndërsa, aktivistja për të drejtat e njeriut, Zhaklin Lekatari, tha se kjo vjen si pasojë e mosdijes dhe mungesës së edukimit seksual.
“…Të rinjtë, çdo pyetje apo pikëpyetje që ka të bëj me edukimin seksual e marrin jo në mënyrë shkencore por nga shokët, nga interneti, nga thashethemet e korridoreve, nga gojëdhënat… Mungesa e edukimit seksual jo vetëm që sjell probleme të tilla si mosdija e virgjërisë apo tematikave të tjera tabu por nxitë edhe dhunën gjinore, dhunën në familje…”, deklaroi Lekatari.
Vlen të theksohet se edhe në raportin e UNDP (të realizuar në vitin 2022), për sa u takon qëndrimeve të të rinjve ndaj normave gjinore, potencohet se djemtë e rinj paragjykojnë vajzat që kryejnë marrëdhënie seksuale para martesës.
Për ta dëgjuar krejtësisht diskutimin rreth kësaj teme (dhe temave të tjera tabu), klikoni në linkun e mëposhtëm: