Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi dje një mbledhje elektronike, ku miratoi disa vendime të rëndësishme për mbështetje financiare dhe avancimin e disa sektorëve.
Gjatë mbledhjes, u miratua Rregullorja për Procedurat dhe Kushtet e Financimit të Organizatave Sportive, e cila do të krijojë mundësi për financimin e projekteve dhe aktiviteteve të organizatave sportive në vend.
Po ashtu, Qeveria ndau një shumë prej 1,108,529 Euro për të mbështetur të gjitha familjet shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilat janë aktivisht të angazhuara në bujqësi.
Ky fond është ndarë në kuadër të thirrjes publike të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh) dhe përfshin gjithashtu financimin e programeve për avancimin dhe integrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.
Në përfundim, u aprovua kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje financiare, që synon përmirësimin e menaxhimit të burimeve dhe efikasitetin e shpenzimeve në buxhetin e shtetit.
Kujtojmë se kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu kishte njoftuar se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Beograd, kishte kërkuar që të anulohet konkursi për subvencionimin e kulturave bujqësore nga Fondi i Republikës së Kosovës.
Në një postim në Facebook, Lutfiu kishte shkruar se nuk do ta shfuqizojnë vendimin.
“Ministria në fjalë kërkon që konkursi të anulohet (të shfuqizohet vendimi i KKSH-s), nëse ne nuk e shfuqizojmë këtë vendim atëherë atë do ta bëj vet Ministria, me preteksin se vendimi është i jashtëligjshëm thuhet në kundërpërgjigjen e Ministrisë. Vendimin nuk e shfuqizojmë, ndërsa pas konsultimit me Qeverinë e Kosovës do të njoftoheni me hapat e mëtutjeshëm”, kishte shkruar Lutfiu. /Telegrafi/