Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Bahtijari, e ka pranuar fajësinë para Dhomave të Specializuara në Hagë dhe është pajtuar me një dënim deri në dy vjet burgim.
Bahtijari e bëri këtë nëpërmjet një marrëveshjeje për pranim të fajësisë që e arriti me Prokurorinë e Specializuar.
Ai akuzohet se, së bashku me Haxhi Shalën dhe Sabit Jonuzin, kishin bashkëpunuar për ta nxitur një dëshmitar për të mos dëshmuar para Gjykatës Speciale.
Deri më tani, nuk është bërë e ditur se për cilin dëshmitar bëhet fjalë apo në cilin rast ka qenë e paraparë të dëshmojë ai.
“Fajtor”, tha Bahtijari para panelit gjyqësor kur u pyet se si deklarohet për akuzat ndaj tij, në seancën e datës 19 dhjetor.
Me këtë marrëveshje, ndër tjera, Bahtijari u pajtua që në rast se gjykata e dënon me dy vjet burgim ose më pak, ai nuk do të ketë të drejtë apelimi ndaj këtij vendimi.
Një ditë më parë, edhe Shala e Jonuzi e pranuan fajësinë në gjykatë pas marrëveshjeve që arritën veç e veç me Prokurorinë./REL






