Kryeministri Edi Rama do të kryesojë delegacionin shqiptar, në konferencën e tretë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, e cila pritet të mbahet sot në Bruksel.
Shqipëria do të hapë negociatat për klasterin e 6-të “Marrëdhëniet me Jashtë”, që përfshijnë politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.
Ky grup kapitull parashikohet të përmbyllet më shpejt në negociata edhe për shkak se Shqipëria ka qenë në të njëjtën linjë me politikën e jashtme të BE-së, kryesisht në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë apo edhe për çështje të tjera që lidhen me sigurinë e kontinentit evropian apo me politikën e jashtme të tij, përfshirë edhe qëndrimin për konfliktin në rripin e Gazës.
Kjo konferencë e tretë ndërqeveritare do të jetë e dyta gjatë presidencës hungareze, pas asaj të mbajtur në Luksemburg më 15 tetor, ku Shqipëria hapi pesë kapitujt e anëtarësimit ose “Themeloret” që përfshinin Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore, Drejtësinë, Prokurimet, Statistikat, Sigurinë dhe Kontrollin Financiar.






