20.7 C
Pristina
E shtunë, 18 Maj, 2024

700 mijë euro humbjet vjetore nga mospagesa e ujit në veri

Përgatiti: Haris Ademi

Rreth 18 milionë euro llogaritet të jenë shpenzimet për prodhimin e ujit për komunat veriore të Kosovës, që nga paslufta. Për 25 vjet, faturat e ujit nuk janë paguar asnjëherë në zonën e banuar me shumicë serbe.

Ujin për këtë pjesë të Republikës e prodhon Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”. Ndërsa, humbjet vjetore financiare, Autoriteti Rregullativ i Ujërave thotë se janë rreth 700 mijë euro.

“Uji i cili dërgohet në veri, matet me ujëmatës dhe për këtë sasi të ujit kalkulohen shpenzimet e prodhimit, të cilat në baza vjetore janë rreth 700.000 euro. Këto shpenzime nuk përfshihen gjatë kalkulimit të tarifës për qytetarët e pjesës jugore të Mitrovicës dhe komunave tjera që KRU ‘Mitrovica’ ofron shërbimet e ujit”, thuhet në përgjigjen nga Autoriteti Rregullativ i Ujërave.

Në planin strategjik 2021-2023 të ARRU-së, thuhet se në veri, por edhe në Shtërpcë dhe Kllokot, operojnë organizata pa licencë për ofrim të shërbimeve, si dhe pa leje ujore për shfrytëzim të burimeve të ujit.

Prandaj, njohësi i këtij sektori, Sokol Xhafa, konsideron se, krahas humbjeve financiare, shteti nuk është në dijeni as për cilësinë e ujit që e pinë qytetarët e veriut.

“Nuk është cilësia e kontrollueshme, nuk e dimë çfarë uji pihet… Dëmtohet ndërmarrja…”, tha Xhafa.

Qeveria nuk ka kthyer përgjigje për ATV-në nëse ka në plan që faturimin e shërbimeve të ujit ta shtrojë si temë në proces të dialogut me Serbinë.

Megjithatë, kryeministri Albin Kurti, para një viti e kishte fajësuar Serbinë që në veri të Kosovës nuk është paguar për ujin dhe energjinë elektrike. Për rrymën tashmë ka nisur implementimi i marrëveshjes, për çka është licencuar kompania Elektrosever.

Njohësi i procesit të dialogut, Arben Fetoshi, thotë se qeveria nuk duhet të insistojë edhe në një çështje teknike në Bruksel, por në zbatim të marrëveshjes finale.

“Do ta instalonim një kompani serbe, sikur për rrymën… Nuk duhet të lëshohemi në tema teknike…”, tha Fetoshi.

Derisa kjo çështje të zgjidhet, KRU “Mitrovicës” i duhet që t’i mbulojë humbjet e veriut, përmes subvencionimit nga qeveria, apo formave të tjera alternative të financimit.

Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA