AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI
4 Korriku 1776 përkujtohet për të 250-tin vit, më 4 Korrik 2026, si dita kur Kongresi i dytë Kontinental në Filadelfia miratoi Deklaratën e Pavarësisë, duke shpallur 13 kolonitë sovrane dhe të pavarura nga kurora britanike.
Teksti i hartuar nga Thomas Jefferson, në dialog me mendimin e Benjamin Franklin dhe ideologët e tjerë të liberalizmit klasik, nuk ishte thjesht një akt juridik, por një manifest politik mbi dinjitetin e njeriut, të drejtat natyrore dhe legjitimitetin e pushtetit të bazuar në pëlqimin e të qeverisurve. Që nga ai moment, entiteti i ri politik – Shtetet e Bashkuara të Amerikës – filloi rrugëtimin e tij si një laborator i demokracisë moderne dhe si promotor i një vizioni universal të lirisë.
1-Dita e pavarësisë së SHBA në vitin 2026: midis trashëgimisë së lirisë dhe pasigurisë globale.
Çfarë do të ishte jeta kolektive, nëse nuk do të ishte e endur nga një rrjet i dendur simbolikash politike dhe shoqërore? Nëpërmjet simboleve ne i japim kuptim ekzistencës sonë, strukturojmë kujtesën dhe projektojmë të ardhmen; po aq e vërtetë është kjo për individët sa edhe për shoqëritë, kombëtare dhe globale. Ndër këto simbole, pak data janë aq të ngarkuara me kuptim sa 4 Korriku, dita e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila nga një moment i një konflikti kolonial u shndërrua në një referencë universale për lirinë dhe sovranitetin politik.
Sot, 250 vjet më pas nga dita e Pavarësisë se SHBA-ve, thuajse çdo komponent i realitetit social, politik dhe ekonomik është transformuar, rithemeluar, rikonceptuar. Sistemet ekonomike, balancat e fuqisë, strukturat shoqërore, arkitektura e sigurisë ndërkombëtare; të gjitha ndodhen në një rrjedhë të pandërprerë ndryshimi, herë të ngadaltë, herë të vrullshëm. Dhe megjithatë, simbolika e 4 Korrikut mbetet e paprekur në thelbin e saj: ëndrra kolektive se çdo shoqëri ka të drejtë të jetë e lirë, se çdo individ ka të drejtë të jetë i lirë, se liria është vlera themelore mbi të cilën mund të ndërtohet një shoqëri e drejtë. Sa herë fishekzjarrët ndriçojnë qiellin amerikan më 4 Korrik, ato ndriçojnë jo vetëm festën e një shteti, por tensionet dhe shpresat e gjithë sistemit ndërkombëtar.
2-Simbolika politike e 4 Korrikut në një botë në krizë
Historia nuk është kurrë thjesht e kaluar; ajo është gjithmonë një tjetër dimension i së tashmes. E kaluara furnizon të tashmen me përvojë, mësime dhe vazhdimësi, ndërsa e tashmja i jep të kaluarës kornizë, kontekst dhe domethënie në varësi të krizave, konflikteve dhe shpresave të momentit. Marrëdhënia është dialektike: ne kthehemi te momentet themelore pikërisht kur e tashmja bëhet e pasigurt, tragjike ose kaotike. Dhe 4 Korriku nuk bën përjashtim nga ky rregull.
Revolucioni amerikan, së bashku me atë francez, vendosi në qendër një sistem vlerash të bazuar mbi konceptin e lirisë si parim udhëheqës, jo vetëm në plan individual, por edhe kolektiv. Sot, në një epokë ku informacioni qarkullon me shpejtësi marramendëse, ku teknologjia dhe inteligjenca artificiale po transformojnë mënyrën si punojmë, mendojmë dhe komunikojmë, liria nuk mund të merret kurrë si e mirëqenë. Kjo është një botë ku krizat ekonomike globale, tensionet shoqërore, varfëria strukturore në shumë rajone të planetit dhe polarizimi politik po gërryejnë themelet e demokracisë liberale, ndërsa konfliktet rajonale rikthehen në forma të reja.
Pas krizës së madhe financiare të vitit 2008, ndryshimet ekonomike, politike, ushtarake dhe gjeostrategjike në nivel global kanë qenë të njëpasnjëshme. Rendi ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë iu duk për një kohë se mund të mbështetej në një stabilitet relativ dhe në një arkitekturë të qartë institucionale, ku NATO, Bashkimi Evropian dhe vetë SHBA do të garantonin një lloj parashikueshmërie. E megjithatë, ciklet e krizave – nga krizat financiare tek ato shëndetësore, nga terrorizmi te populizmi – ndikuan në realitetin politik, si dhe në perceptimin që shoqëritë kanë për të.
Në këtë kontekst, dita e Pavarësisë së SHBA funksionon edhe si një moment reflektimi global mbi të ardhmen e demokracisë liberale dhe të vetë idesë së lirisë. Në vitin 2026, ky reflektim nuk mund të mos konsideroj faktin që: bota është e lodhur nga luftërat e zgjatura, nga ciklet e krizave, nga polarizimi, që për shoqërinë amerikane bën që 4 Korriku të mos jetë vetëm festë, por edhe një test i qëndrueshmërisë së Amerikës së Madhe, si një projekti politik që filloi në vitin 1776.
3-SHBA në vitin 2026: midis trashëgimisë së lirisë dhe realpolitikës së re
Kjo ditë pavarësie i gjen Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një President të rikthyer në detyrë, Donald Trump, i zgjedhur sërish në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 me një rezultat të qartë në kolegjin elektoral. Rivotimi i Trump shënoi jo vetëm një rikthim politik, por edhe një rithemelim të debati mbi rolin amerikan në botë: deri ku shkon përgjegjësia për mbrojtjen e vlerave universale të demokracisë dhe deri ku mbizotëron logjika e interesit të ngushtë kombëtar, duke vene në planë të parë “AMERIKA ESHTE E PARA”. Administrata e re ka ndërmarrë një sërë politikash të brendshme dhe të jashtme që ndjekin një qasje më transaksionale ndaj aleatëve, më skeptike ndaj multilateralizmit tradicional dhe më të përqendruar në çështje si konkurrenca ekonomike, rregullimi i teknologjive të reja dhe rishikimi i angazhimeve të gjata ushtarake. Debatet në Uashington mbi kostot e mbështetjes së Ukrainës, mbi rolin e NATOs dhe mbi nevojën që Europa të marrë një pjesë më të madhe të barrës së mbrojtjes (plotësimin e angazhimit për kontributin e 5% të GDP për çdo anëtar të NATOS) tregojnë se projekti i vjetër i “garantit global të lirisë” është në qendër të vëmendjes së diskutimeve. Megjithatë, pavarësisht rrugëtimeve zigzage të politikës së jashtme, SHBA mbeten një aktor i pazëvendësueshëm në arkitekturën e sigurisë euroatlantike. Negociatat për një marrëveshje paqeje në Ukrainë, që parashikojnë garanci të forta sigurie për Kievin, apo marrëveshja dhe negociatat për paqe me Iranin, tregojnë se edhe kur Uashingtoni heziton për zgjerim formal të NATO-s, ai nuk e ka shmangur asnjëherë përgjegjësinë për të garantuar stabilitetin dhe rindërtimin pas luftës. Në këtë kuptim, 4 Korriku i vitit 2026 i gjen Shtetet e Bashkuara në një pozicion të dyfishtë: njëkohësisht si superfuqi që heziton të marrë mbi vete barrat e vjetra dhe si aktor pa të cilin asnjë zgjidhje e qëndrueshme nuk mund të arrihet.
Pavarësisht nga debate brenda vendit, mbi demokracinë, polarizimi partiak, konfliktet mbi të drejtat zgjedhore, rishkrimi i hartave elektorale dhe tensionet midis shteteve dhe federatës, vitaliteti i SHBA-ve dëshmon se historia e demokracisë amerikane është histori e kapërcimit të të gjitha krizave që i kthen ato në mundësi reformimi dhe zhvillimi – nga Lufta Civile te lëvizjet për të drejtat civile, nga New Deal te reformat pas 2008-s dhe pikërisht këto shembuj historikë shërbejnë si referencë simbolike edhe sot, sa herë përkujtohet 4 Korriku.
4-Liria, demokracia dhe arkitektura e re e sigurisë globale
Në këtë periudhë, nevoja për forcimin jo vetëm të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, por të gjithë arkitekturës globale të sigurisë, është ndjerë më shumë se kurrë. Lufta në Ukrainë, rishfaqja e konflikteve rajonale në Lindjen e Mesme, tensionet në IndoPaqësor, rritja e agresivitetit gjeopolitik të aktorëve autoritarë, si dhe sfidat hibride, nga sulmet kibernetike te manipulimi informativ, tregojnë se liria nuk është thjesht koncept filozofik, por një arkitekturë konkrete sigurie që kërkon institucione, aleanca dhe burime.
Shtetet e Bashkuara kanë luajtur tradicionalisht rolin e garantit kryesor të kësaj arkitekture, si në dimensionin euroatlantik, ashtu edhe në atë global. Edhe kur diskursi politik në Uashington zhvendoset drejt një qasjeje më selektive dhe më transaksionale, fakti që NATO vazhdon të jetë e varur nga kapacitetet amerikane, fakti që stabiliteti në Lindjen e Mesme varet nga angazhimi amerikan në çështje si ajo e Iranit, apo fakti që balancat në Indo-Paqësor ndërtohen mbi prani dhe garanci amerikane, e bën rolin e SHBA të pazëvendësueshëm në shumicën e krizave bashkëkohore.
Në Europë, debatet mbi zgjerimin e NATO-s dhe mbi ndarjen e barrës (jo vetëm të shpenzimeve) së mbrojtjes shoqërohen nga përpjekjet për të garantuar sigurinë e vendeve partnere, në vetvete një përkthim institucional i idealit të vjetër të solidaritetit kolektiv kundrejt agresionit. Në Lindjen e Mesme, negociatat me Iranin për çështjet bërthamore dhe rolin rajonal të Teheranit ilustrojnë se siguria globale nuk mund të reduktohet në kornizat klasike të aleancave ushtarake, por kërkon diplomaci afatgjatë, menaxhim rreziku dhe aftësi për të balancuar vlerat me realpolitikën.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian, si hapësirë sui generis vlerash demokratike, respektimi të të drejtave të njeriut dhe modelit të ekonomisë sociale të tregut, ndodhet përballë sfidës për ta lidhur më ngushtë projektin e tij të integrimit me idenë e autonomisë strategjike, pa e shkëputur veten nga garancitë amerikane. Nevoja për të forcuar arkitekturën euroatlantike, për të zgjeruar bashkëpunimet në Indo-Paqësor dhe për të gjetur formula të qëndrueshme për sigurinë në Lindjen e Mesme nuk e zbehin rolin amerikan; përkundrazi, e kthejnë partneritetin transatlantik dhe dialogun SHBA–aleatë në një hapësirë të re negociimi mbi ndarjen e barrës, ndërtimin e kapaciteteve të përbashkëta dhe përcaktimin e prioriteteve gjeopolitike në shkallë globale.
Në këtë kontekst, dita e pavarësisë amerikane nuk është thjesht festë kombëtare; ajo është një kujtesë se liria kërkon arkitektura të qëndrueshme sigurie, institucione efektive dhe aleanca të bazuara jo vetëm mbi kalkulime të ftohta, por mbi një sistem vlerash të përbashkëta. Ky është thelbi i rolit global të Shteteve të Bashkuara: një fuqi që, pavarësisht kundërshtive dhe dilemat e brendshme, mbetet e thirrur të vendosë në qendër jo vetëm interesat e saj kombëtare, por edhe mbrojtjen e një rendi ndërkombëtar ku liria dhe demokracia nuk janë fjalë boshe, por horizonte konkrete veprimi.
5-SHBA dhe Shqipëria: 4 Korriku si horizont i përbashkët
Për Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë jo vetëm aleati politik strategjik më i rëndësishëm, por edhe një pikë referimi simbolike për ndërtimin e një sistemi të drejtë politik, demokratik, institucional dhe ekonomik. Ekzistenca e vetë shtetit shqiptar lidhet, ndërmjet të tjerave, me qëndrimin e Presidentit Woodrow Wilson në Konferencën e Paqes pas Luftës së Parë Botërore, dhe po aq me mbështetjen e SHBA në momentet kyçe të tranzicionit postkomunist. Zgjidhja e çështjes së Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, reforma në drejtësi dhe ritmi i integrimit evropian nuk mund të kuptohen pa prani aktive amerikane.
Në një botë të tensionuar, për një vend të vogël me burime të kufizuara, siguria nuk është vetëm çështje ushtarake, por edhe çështje aleancash. Mbështetja amerikane ndaj reformave ligjore, reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit, forcimit të institucioneve dhe konsolidimit të demokracisë funksionale është pjesë e të njëjtit vizion: që Shqipëria të jetë pjesë e një hapësire ku liria, barazia para ligjit dhe perspektiva evropiane nuk janë slogane, por kushte reale zhvillimi.
4 Korriku 2026, i përkujtuar në Tiranë, në Prishtinë, në kryeqytetet e NATO-s dhe të BE-së, nuk është thjesht një datë në kalendarin diplomatik. Është një ftesë për reflektim: çfarë kemi mësuar nga betejat tona për liri, çfarë kemi bërë me mundësitë që na kanë dhënë aleancat dhe çfarë jemi gati të bëjmë për të mbrojtur demokracinë në një epokë të pasigurt. Për një shoqëri si kjo jona, ende në kërkim të një modeli të plotë të mirëqenies dhe drejtësisë sociale, 4 Korriku mbetet jo vetëm një simbol historik amerikan, por një horizont i përbashkët aspiratash.
Çdo 4 Korrik është një test për vetë SHBA: sa konsistente janë ato me idealet e tyre, sa të gatshme janë të mbrojnë lirinë brenda dhe jashtë kufijve, sa të afta janë të reformojnë, zhvillojnë e mbrojnë demokracinë. Por njësoj, çdo 4 Korrik është edhe një test për pjesën tjetër të botës, për Europën, për Ballkanin, për Shqipërinë: sa seriozisht i marrim ne vlerat që ky revolucion i largët i ka shndërruar në simbole globale dhe sa të vendosur jemi t’i përkthejmë ato në institucione, reforma dhe praktika konkrete. Kjo është pyetja e vërtetë që na vendos përballë dita e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vitin 2026 po aq sa në vitin 1776.





