Përgatiti: Kastriot Tahiri
Uji që u përdor për të fikur zjarrin, që përfshiu mbrëmjen e së dielës një pjesë të kësaj ndërtese 7 kateshe në Ferizaj, ka mbetur ende në korridorin e ndërtesës.
Si pasoj e flakës dhe tymit 10 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në qendrën kryesore të mjekësisë familjare, ndërsa 6 prej tyre u dërguan për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Në nivelin terciar janë pranuar 6 të lënduar, katër prej tyre janë liruar për në shtëpi ndërsa, dy të tjerë po vazhdojnë të marrin tretman mjekësore dhe u janë nënshtruar disa analizave laboratorike në klinikën e Biokimisë. Gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë”, tha drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla.
Policia që së bashku me ekipet emergjente dolën menjëherë në vend të ngjarjes, janë duke hetuar shkaktarët e zjarrit.
“Policia rajonale e Ferizajt, njësitet e hetimit po punojnë që të zbardh rastin”, tha zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli.
Nga zjarri, dëme pati edhe në lokalet e gastronomisë. Madje disa prej tyre, këtë të hënë nuk patën mundësi të punojnë fare.
“Kam qenë pak në vend të ngjarjes por nga fundi, e kam qel lokalin kish pas tym të madh, deri në 2-3 të mëngjesit kom qëndrua këtu. Sot kur erdha sërish rrymë s’ka tym është ende. Dëmet nuk po mundemi me i ditë se cilat janë sepse nuk po e di pa pas rrymë”, tha Bedri Bushi, pronar.
Bushi, e pronarët e tjerë të gastronomisë janë të shqetësuar se problemet me energji elektrike do të zgjasin, si rrjedhojë kërkojnë nga organet kompetente që sa më parë t’iu bëhet një zgjidhje.